Konstituohet Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet

TIRANË, 1 tetor/ATSH-Maela Marini/ Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet zhvilloi sot mbledhjen e parë konstituuese për këtë legjislaturë, ku miratoi edhe kalendarin e punës për periudhën 1–19 tetor 2025.
Në nisje të mbledhjes, kryetari i komisionit, deputeti demokrat Luçiano Boçi u ndal te disa prej sfidave me të cilat përballet arsimi sot, ndërsa theksoi rëndësinë e tij për të ardhmen e vendit.
“Në këtë komision duhet të marrim përsipër një përgjegjësi që tejkalon përfaqësimin tonë politik dhe sallat e Kuvendit, sepse arsimi dhe edukimi janë themelet e të ardhmes dhe mjeti i vetëm që garanton përparimin cilësor dhe shanse të barabarta për të gjithë brezat”, u shpreh ai.
Si drejtues i komisionit, Boçi u angazhua që fjala e lirë dhe përgjegjësia politike dhe individuale e secilit prej anëtarëve të ketë hapësirën e vetë në këtë komision, ku duhet të debatohet me ide e të përplasen mendime të domosdoshme, që në themel i shërbejnë përmirësimit të hallkave të sistemit tonë arsimor.
Boçi theksoi se duke garantuar arsim cilësor, të drejtë dhe gjithëpërfshirës mund t’i shërbejmë vendit.
“Sot ndeshemi me një realitet jo të lehtë për arsimin. Kemi dëgjuar shumë fjalë të bukura, por në realitet ndeshemi më shumë me punë të shëmtuara. Arsimi është shpallur prioritet, por sot ka përfunduar në një inferioritet”, shtoi ai.
Boçi renditi disa prej problematikave që ndeshen në arsim, ndërsa u shpreh se besueshmëria e publikut ndaj cilësisë së arsimit është në kuotat më të ulëta historike dhe është ndër shkaqet kryesore që një pjesë e të rinjve largohen nga Shqipëria.
“Kemi përkeqësim të treguesve arsimorë. Jemi të fundit në testin PISA për arsimin parauniversitar. Jemi me universitete të parankuara dhe me kërkim shkencor inekzistent. Kemi humbur në arsimin parauniversitar gati 160 mijë nxënës që nga vitit 2013 dhe përafërsisht edhe kaq studentë. Janë mbyllur shkolla të tëra, kemi akoma klasa kolektive dhe mësimdhënie me turne”, shtoi ai.
Nga ana e saj, zëvendëskryetarja e komisionit, deputetja e Partisë Socialiste Evis Kushi kërkoi që ky komision të jetë një nga modelet më të mira të punës konstruktive me njëri-tjetrin.
Kushi theksoi se “arsimi është ajo fushë që na bashkon, ndaj duhet të nisemi nga interesi i madh kombëtar dhe jo nga interesat tona partiake”.
Ajo vlerësoi veçanërisht faktin se për herë të parë shkenca është vendosur në emërtimin e këtij komisioni duke i kushtuar më tepër vëmendje kësaj fushe.
“Kjo flet shumë për vëmendjen që ne duhet t’i japim sidomos për momentin ku ndodhemi. Kërkimi shkencor dhe inovacioni jo vetëm janë pjesë e negociatave të integrimit me Bashkimin Evropian, por kërkojnë vëmendje të posaçme edhe në kushtet e sotme për t’i dhënë përgjigje sfidave globale”, tha Kushi.
Sipas saj, “zhvillimet teknologjike duke nisur nga inteligjenca artificiale, deri te nanoteknologjia kërkojnë që kërkimi shkencor të ketë një fokus shumë herë më të madh se në vitet e kaluara”.
Duke u ndalur tek arritjet në fushën e arsimit, Kushi veçoi rritjen e pagave për mësuesit si dhe përmirësimin e infrastrukturës arsimore në vend.
“Ne jemi të vetëdijshëm për sfidat që kemi përpara, por nuk mund ta mohojmë dot atë progres të madh që është bërë në gjithë këto vite si te shkollat e rindërtuara, mësuesit e trajnuar, pagat e mësuesve e deri te kurrikulat e përmirësuara”, shtoi ajo.
Komisioni për Edukimin, Shkencën dhe Sportet shqyrton brenda fushave të përgjegjësisë projektligjet, projektvendimet dhe çështjet e tjera që paraqiten në Kuvend. Ky komision kryen studime për efektivitetin e ligjeve në fuqi, ndjek zbatimin e ligjeve dhe kontrollon veprimtarinë e ministrive dhe të organeve të tjera qendrore, duke i propozuar Kuvendit ose Këshillit të Ministrave marrjen e masave përkatëse, si dhe propozon për miratim në Kuvend projektligje, projektdeklarata ose projektrezoluta.
Sekretare e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportet është deputetja Hatixhe Konomi, ndërsa anëtarë janë: Ogerta Manastirliu, Alma Selami, Ana Nako, Lindita Nikolla, Zamira Sinaj, Luan Baçi, Katriot Piroli dhe Brunilda Haxhiu.
1 nga 9/r.e/