Kontrabandë me pije alkoolike, arrestohet një shtetas dhe procedohen tre doganierë

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Policia e Shtetit finalizoi me sukses operacionin policor të koduar “Drinks”, zhvilluar nga Sektori për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare në DVP Korçë, me fokus goditjen e kontrabandës me mallra që paguhen me akcizë, konkretisht pije alkoolike.
Operacioni u zhvillua në aksin rrugor “Kapshticë – Bilisht”, ku shërbimet e policisë ndaluan një automjet të dyshuar dhe arrestuan në flagrancë shtetasin A. Ll., 53 vjeç, banues në Korçë, pasi gjatë kontrollit në automjetin e tij u gjet një sasi pije alkoolike të dyshuara të futura kontrabandë nga Greqia, pa kryer procedurat ligjore të zhdoganimit.
Shtetasi A. Ll. do të përballet me akuzat për “kontrabandë me mallra të tjera” dhe “kontrabandë me mallra që paguhet akcizë”.
Në vijim të hetimeve, u proceduan penalisht edhe tre punonjës të degës doganore Kapshticë, me inicialet: K. P., 45 vjeç; A. G., 61 vjeç; R. M., 40 vjeç.
Të tre dyshohen për “shpërdorim detyre”, pasi nuk kanë zbatuar detyrimet ligjore për kontrollin dhe zhdoganimin e mallrave në kufi, duke mundësuar kalimin e pijeve të akcizës pa procedurat përkatëse.
Si pjesë e operacionit u sekuestruan pijet alkoolike kontrabandë si dhe automjeti i përdorur për transportin e tyre.
/a.g/