E Martë, 3 Nëntor 2026

Kumbaro në ministerialin “Adaptation Days”: Vjosa, simbol i modelit shqiptar që mbron natyrën

TIRANË, 7 qershor/ATSH/ Ministrja e Turizmit dhe Mjedisit, Mirela Kumbaro, mori pjesë në ministerialin “Adaptation Days” të organizuar nga Banka Europiane e Investimeve (BEI) në Nice, Francë, një ngjarje me fokus politikat mjedisore dhe përballjen me ndryshimet klimatike.

Në fjalën e saj, Kumbaro theksoi angazhimin e Shqipërisë për mbrojtjen e bregdetit dhe burimeve ujore, me kryefjalë lumin Vjosa, tashmë i njohur si lumi i fundit i egër në Europë dhe simbol i një modeli të ri shqiptar që zgjedh të ruajë natyrën si pjesë të zhvillimit të qëndrueshëm.

“Për ne, mbrojtja e mjedisit dhe zhvillimi turistik nuk janë në kundërshti, por ecin paralelisht, si dy shtylla të një rruge të përbashkët për zhvillimin e vendit,” u shpreh Kumbaro.

Ajo nënvizoi gjithashtu se Shqipëria po përgatitet për një tjetër sezon turistik veror, duke vijuar me masa konkrete për pastërtinë e vijës bregdetare, në kuadër të operacionit “Plazhe të pastra”, i cili synon garantimin e standardeve mjedisore për pushuesit dhe komunitetet lokale. /a.gj/ /a.g/

1 nga 7

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›