E Diel, 1 Nëntor 2026

Kontrata Nano bën kurban Aeroportin e Kukësit

 

Që prej fundit të nëntorit të vitit 2007, Aeroporti i Kukësit është gati për fluturime

Pas 4 vitesh punime dhe 30 milionë USD investime ky aeroport nuk mund të vihet në shërbim

Prej 8 muajsh. Aeroporti i Kukësit është në pritje të fluturimeve, por qeveria shqiptare, megjithëse ka investuar në këtë projekt miliarda lekë, nuk mund të përfitojë asnjë shërbim prej tij. Ekskluzivitetin e fluturimeve ajrore në Shqipëri vazhdon qa ta ketë koncesionari i Aeroportit të Rinasit, që prej kontratës së lidhur nga ana e qeverisë “Nano” në vitin 2004. Duke qenë pjesëmarrës në forumin “Strategjia e krijimit të tregut të hapur shqiptar dhe rajonal", zëvendësministri i Punëve Publike, Ernest Noka deklaroi gjatë ditës së djeshme përpjekjet për vënien në punë të Aeroportit të Kukësit, duke sqaruar se “po zhvillohen negociata me koncesionarët e Aeroportit Ndërkombëtar “Nënë Tereza”. Sipas zëvendësministrit Noka vënia në punë e aeroportit të Kukësit është një lehtësi për Kosovën. “Jemi në negociata me koncesionarët e Aeroportit të Rinasit, pasi fluturimet ndërkombëtare janë ekskluzivitet i tyre",- u shpreh Noka. Që prej vitit të kaluar Aeroporti i Kukësit ka kaluar të gjithë testet që kërkohen nga ana teknike, për të kryer fluturime të sigurta. Por Aeroporti mbetet i bllokuar, duke mos i dhënë mundësi qytetit të Kukësit që të ketë një rigjallërim ekonomik që mund t’i vijë për shkak të rritjes së fluksit të transportit. Burime nga ana e Drejtoria e Përgjithshme e Aviacionit Civil në Tiranë bëjnë të ditur se po shihet mundësia që edhe ky aeroport të merret nga kompania gjermano-amerikane “Hochtief”, e cila ka edhe ekskluzivitetin e fluturimeve.

Madhësia e Aeroportit

Aeroporti i Kukësit ndodhet në jug të këtij qyteti, në vendin e quajtur Fusha e Meteorit në Shtiqën, pranë fshati me të njëjtin emër, rreth 3 kilometër larg nga Kukësi, në lartësinë 353 metër mbi nivelin e detit. Që nga qershori i vitit 2006, Aeroporti i Kukësit është në pronësi të Drejtorisë së Përgjithshme të Aviacionit Civil të Shqipërisë. Një ndër pikat e marrëveshjes midis Qeverisë Shqiptare dhe kompanisë gjermane "Tirana Airport Partners", thuhet se të gjitha fluturimet ndërkombëtare për një periudhë 20- vjeçare do të realizohen vetëm në Aeroportin e Rinasit. Kjo pikë e kësaj marrëveshjeje nxjerr jashtë loje aeroportin e Kukësit, për ndërtimin e të cilit janë shpenzuar 30 milionë USD, që janë dhënë falas nga qeveria e Emirateve të Bashkuara Arabe. Aeroporti i Kukësit është i Kategorisë C, me gjatësi të pistës 1 900 metër dhe gjerësi 70 metër. Aeroporti përbëhet nga terminali i pasagjerëve, kulla e drejtimit, pistë ulje e ngritje, brezi anësor jeshil i pistës, rrugët lidhëse, vendqëndrimi i avionëve për 6-7 avionë të tipeve të ndryshme, sistemi i ndriçimit, sistemi i ndriçimit të ulje ngritjeve, rrethimi i aeroportit me një gjatësi afërsisht 5 000 metra, si dhe vendparkimi i mjeteve private.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›