Pranga tre zyrtarëve për 200 pensione false
Policia e Tiranës zbulon skemën e mashtrimit me pensionet e minatorëve. Arrestohen ish-drejtori i minierës
Tre ish-zyrtarët e minierës së Priskës dhanë pensione false, kundrejt 2 milionë lekëve rryshfet
TIRANË- U dhanë pensione false 200 personave, arrestohen tre zyrtarë. Operacioni i koduar “Qelia e hapur”, i organizuar nga antikrimi ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës është finalizuar ditëne djeshme me arrestimin e Qazim Lacit, 60-vjeç, ish- drejtor në Minierën e Priskës, Fatmir Sula, 51-vjeç, ish-Kryetari i Degës së Kuadrit, aktualisht përgjegjës i zyrës së inxhinierëve në Drejtorinë e “Alba minierave” dhe Rabie Pupla, 43-vjeçe, ish-Përgjegjëse e Zyrës së verifikimit pranë Drejtorisë Rajonale të Sigurimeve Shoqërore Tiranë, aktualisht me detyrë nëdegën e Thesarit. Arrestimi i tyre është kryer pas vendimit të Gjykatës së Tiranës, e cila më 27 Qershor 2008, ka vendosur masën e sigurisë “arrest në burg” për ta.
Hetimi
Pak kohë më parë, agjentët e antikrimit ekonomik-financiar pranë policisë së Tiranës kanë zbuluar mashtrimin me skemën e pensioneve, të kryer nga tre ish-zyrtarë të minierës së Priskës, aktualisht zyrtarë në institucione të tjera shtetërore. Menjëherë, policia nisi hetimet për të zbardhur skemën e formuluar nga ish-zyrtarët, të cilët kundrejt shumave të parave favorizonin me pensione të fituara me dokumente false një numër të konsiderueshëm qytetarësh. Pas hetimeve policia bëri të mundur dokumentimin e veprimtarisë së kundraligjshme të tre personave. Burime zyrtare nga policia e kryeqytetit thanë se tre personat në bashkëpunim me njëri-tjetrin, të favorizuar nga detyra e tyre dyshohet se kanë prodhuar skema të nxjerrjes në pension të shtetasve të ndryshëm me dokumente të falsifikuara. Mësohet se në periudhën 2000-2004 tre ish-zyrtarët kanë lidhur pension, me pretendimin se ishin punonjës pranë Minierës së Priskës, për rreth 200 vetë, kundrejt 200 mijë lekëve të reja rryshfet.
Arrestimi
Pas informacioneve për abuzimet që kanë kryer tre ish-zyrtarët katër vite më parë, policia e Tiranës nisi hetimet ndërsa ditën e djeshme organizoi një operacion duke i çuar ata në qeli. Burime nga policia thanë se u bë i mundur sekuestrimi i afro 200 dosje pensionesh. Gjatë kontrollit të banesave të tyre, të arrestuarve iu gjendën dokumente shkresore si certifikata personale dhe familjare në emër të shtetasve të ndryshëm, libreza pensionesh e dokumente të tjera të falsifikuara. Policia bëri të ditur se hetimet po vazhdojnë për dokumentimin e plotë të veprimtarisë së tre të arrestuarve apo të personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal. Ndërkohë që ndaj Lacit, Sulës dhe Puplës u mor masa e arrestit pasi akuzohen se kanë konsumuar veprat penale të “korrupsionit Pasiv të funksionarëve të lartë shtetërore ose të zgjedhurve vendore të kryera në bashkëpunim” “shpërdorim detyre” dhe “falsifikim dokumentesh në bashkëpunim dhe më shumë se një herë”.