E Diel, 1 Nëntor 2026

Delijorgji, Alibeaj mbron gjyqtarët

 

Ministri i Drejtësisë, Alibeaj: Të drejtën për procedimin disiplinor të gjyqtarëve e kam unë dhe jo KLD

Përplasje mes KLD-së dhe ekzekutivit për procedimin e gjyqtarëve që i dhanë pafajësinë Delijorgjit

TIRANË- Gjyqtarët e “Delijorgjit” shkaktojnë një tjetër përplasje mes Këshillit të Lartë të Drejtësisë dhe ekzekutivit. Një ditë pasi KLD-ja bëri publike të dhënat e inspektimit për tre gjyqtarët ushtarakë që shpallën të pafajshëm Mihal Delijorgjin, ministri i Drejtësisë i ka marrë në mbrojtje këta të fundit. Ministria e Drejtësisë i ka kujtuar dje Këshillit të Lartë të Drejtësisë se është ajo përgjegjëse për nxjerrjen e konkluzioneve të raportit të inspektimit dhe më pas fillimin ose jo të procedimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve të Gjykatës së Apelit Ushtarak Tiranë, Shaqir Gradica, Naum Pejo dhe Ylli Minka. “Ministri i Drejtësisë, në zbatim të nenit 34 të ligjit nr. 9877, datë 18/02/2008 “Për organizimin e pushtetit gjyqësor në Republikën e Shqipërisë”, është autoriteti që vendos fillimin e procedimit disiplinor pranë Këshillit të Lartë të Drejtësisë”,-thuhet nga zyra e shtypit pranë Ministrit të Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj.

***

E ndërsa Këshilli i Lartë i Drejtësisë i ka rekomanduar Alibeajt të nisë procedim disiplinor ndaj tre gjyqtarëve që falën Delijorgjin, ministri është fokusuar tek kompetencat dhe jo tek problemi. Nëpërmjet një njoftimi për shtyp, Ministria e Drejtësisë ka pohuar se relacioni i KLD-së është depozituar pranë Ministrisë së Drejtësisë rreth pasdites së datës 26 qershor, por reagimi i këtij institucioni për një ndër çështjet më të nxehta në drejtësi është: “procedimi disiplinorështë e drejtë ekskluzive e Ministrit të Drejtësisë të vendosë për fillimin apo jo të procedimit disiplinor ndaj tre gjyqtarëve”. Më tej, zyra e shtypit të Alibeajt ka shtuar se në ushtrimin e kësaj kompetence, ai mban në konsideratë të drejtën e gjyqtarëve për një procedim të rregullt disiplinor.

***

“Ministri i Drejtësisë do të informojë në mënyrë të qartë e të detajuar gjyqtarët mbi faktet në ngarkim të tyre, si dhe mbi dokumentet që janë grumbulluar gjatë verifikimit të shkeljeve të pretenduara disiplinore nga inspektorati i KLD-së, me qëllim pritjen e pretendimeve me shkrim prej tyre dhe vlerësimin krahasues të këtyre pretendimeve ndaj konkluzioneve të inspektoratit të KLD-së”,-thuhet nga burimet zyrtare të këtij institucioni. Nëpërmjet këtij reagimi, kreu i Ministrisë së Drejtësisë ka paragjykuar inspektimin e kryer nga KLD-ja në Gjykatën e Apelit të Durrësit si dhe ka marrë përsipër të mbajë më shumë krahun e gjyqtarëve që akuzohen për disa shkelje në vendimin e pafajësisë së Mihal Delijorgjit. Shkak i këtij debati mes dy institucioneve është bërë inspektimi i KLD-së mbi dosjen e Gjykatës së Apelit Durrës, ku tre gjyqtarët e deleguar kanë gjykuar dosjen Delijorgji, të cilit përveç heqjes së dënimit të dhënë nga Gjykata e Shkallës së Parë me 10 milionë lekë, pushuan edhe akuzën e “falsifikimit të stampave dhe vulave”.

PROCEDIMI

Alibeaj iu dërgon raportin gjyqtarëve ushtarakë

TIRANË- Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, njoftoi mediat për herë të dytë brenda ditës së djeshme se relacioni i KLD-së është depozituar pranë këtij dikasteri dhe u është shpërndarë gjyqtarëve përkatës për të shprehur argumentet e tyre. “Në përmbushje të detyrimit ligjor, Ministria e Drejtësisë ia ka dërguar për njoftim këtë dokumentacion gjyqtarëve të inspektuar, sepse sipas ligjit gjyqtarët kanë të drejtën të paraqesin pretendimet e tyre”,-thuhet në njoftimin e ministrit Alibeaj. Sipas këtij njoftimi, Alibeaj i rikujton sërish zvkryetarit të KLD-së për kompetencat që ai ka në lidhje me fillimin apo jo të procedimit disiplinor ndaj gjyqtarëve ushtarakë të Apelit Tiranë, Shaqir Gradica, Naum Pejo e Ylli Minka.

“Demontuam 14 mijë predha për Delijorgjin dhe nuk u paguan punëtorët”

Uzina e Gramshit padit  Delijorgjin në gjykatë

TIRANË- Uzina Mekanike e Armatimit në Gramshit padit shoqërinë “Albademil” të Delijorgjit në Gjykatën e Tiranës.Sipas burimeve zyrtare të kësaj gjykate, padia është dorëzuar dy ditë më parë nga juristi i kësaj uzine, ku si objekt të padisë ka “prishjen e kontratës” mes uzinës dhe shoqërisë “Albademil” për çmontimin e 40.380 predhave të artilerisë 100 milimetër. Pas hedhjes në short elektronik të kësaj kërkesë- padie administrative, dosja i ra për gjykim nga themeli gjyqtares Elvana Lluri, e cila pritet që gjatë ditës në vazhdim të caktojë datën e seancës së parë gjyqësore. Sipas kësaj padie, Uzina e Gramshit kërkon nga Gjykata prishjen e kontratës me shoqërinë “Albademil” dhe kalimin e skrapit të çmontuar tashmë në favor të fabrikës, pasi nuk i janë paguar rrogat mujore punëtorëve që kanë punuar në çmontimin e këtyre predhave. Ndërkohë, pak ditë më parë, po kjo Gjykatë me kërkesë të uzinës bllokoi produktet që kanë dalë nga demontimi i predhave të artilerisë për t’i shitur ato në mënyrë që të shlyhen pagesat e punëtorëve. Në kërkesë -padi, Uzina e Gramshit argumentoi të gjitha procedurat e ndjekura që në momentin e nënshkrimit të kontratës e deri në ditën e shpërthimit të Gërdecit më 15 mars. “Uzina e Armatimit në Gramsh, ka nisur më 25 shkurt të këtij viti demontimin e 40.380 predhave të artilerisë 100 milimetër kundrejt një pagese 170 lekë të reja për copë, ose e thënë ndryshe, në përfundim të procesit të punës shoqëria “Albademil” do të paguante uzinën me 6.864.600 lekë”,-thuhet në kërkesë. Puna për demontimin sipas kërkesës ka vazhduar deri më 15 mars, kur shpërtheu uzina e Gërdecit dhe firma “Albademil”, presidenti i saj, Mihal Delijorgji dhe drejtori teknik Dritan Minxolli, u morën në përgjegjësi penale dhe u arrestuan. Deri në këtë moment në Gramsh ishin demontuar 14.095 predha, duke dalë si produkte 4.310 kilogramë bakër; 17.665 kilogramë tritol dhe 136 kilogramë ekzogjen. Ndërsa detyrimi i firmës “Albademil” për uzinën e Çekinit duhet të ishte 2.396.150 lekë të reja, të cilat nuk janë paguar ende.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›