Korabi, mes borës dhe aventurës

TIRANË, 27 mars/ATSH/ Korabi, një nga malet më të larta të Evropës Juglindore (2751 m), tërheq gjatë gjithë vitit vizitorë, dashamirës të natyrës që tentojnë ngjitjen deri në majë apo shijojnë peizazhet mbresëlënëse.
Por, dëbora e shndërron Korabin në “magnet” për aventurierët e sporteve dimërore.
Kryeministri Edi Rama ndau sot pamje mbresëlënëse nga Korabi i mbuluar me borë, ku adrenalina e rrëshqitjes me motor bore nga majat e larta ofron një përvojë unike, mes peizazheve që duket sikur prekin qiellin.
Turistë e huaj dhe vendas nuk reshtin së vizituari itinerarin e vargmalit të Korabit në çdo stinë, pasi ofron një gamë të gjerë pasurish natyrore.
Vargmali i Korabit ofron një shtrirje e gjerë natyrore me lëndina të pafund, thyerje të relievit dhe maja malesh që të japin pamje në perspektivë të horizontit të pasosur.
Itinerari i vargmalit të Korabit është shumë i larmishëm dhe shtrihet në Kërçin, Hinoskë, Rabdisht, Gramë, Radomirë.
Shtigjet mund të përshkohen në pesë ditë, por ka edhe shtigje njëditore ku mund të shijohen monumentet e kulturës me arkeologji, xhami dhe kisha në Maqellarë, stanet, kampingjet, shtëpitë pritëse e bujtinat në Radomirë.
/m.m/j.p/