E Diel, 1 Nëntor 2026

Korça shpallet kampione në basketboll në edicionin IV të “Ekipeve Sportive në Shkolla”

TIRANË, 2 qershor /ATSH/ Korça është shpallur kampione në basketboll në programin “Ekipet Sportive në Shkolla – Edicioni IV”.

Komiteti Olimpik Kombëtar Shqiptar njoftoi përfundimin e  finaleve të Ekipeve Elite në disiplinën e basketbollit, në kuadër të programit “Ekipet Sportive në Shkolla – Edicioni IV”.

Finalet u zhvilluan në Pallatin e Sportit “Feti Borova” në Tiranë, duke sjellë rivalitet sportiv, emocione dhe nivel të lartë gare mes ekipeve pjesëmarrëse.

Në finalen e vajzave u përballën përfaqësueset e Tiranës dhe Korçës, ndërsa në finalen e djemve u ndeshën ekipet e Elbasanit dhe Korçës.

Sipas rezultateve zyrtare, në kategorinë e vajzave Korça triumfoi ndaj Tiranës me rezultatin 28-19, ndërsa në kategorinë e djemve Korça fitoi përballë Elbasanit me rezultatin 37-27.

Në përfundim të garës, përfaqësueset e Korçës u shpallën kampione të Ekipeve Elite në basketboll për edicionin e katërt, duke fituar titullin si në kategorinë e vajzave, ashtu edhe në atë të djemve.

/gj.m/j.p/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›