Korçë – Sekuestrohen prona e hoteli në pronësi të “kamerierit”, dyshohet se e përfitoi pasurinë nga trafiku i drogës

Prokuroria e Korçë ka vendosur sekuestro mbi një sërë pasurish të një shtetasi dhe familjarëve të tij, pas dyshimeve se janë siguruar nga aktiviteti kriminal në trafikun ndërkombëtar të narkotikëve.
Nën sekuestro është vendosur një hotel, disa prona e automjete të pretenduara nga shtetasi se ishin siguruar nga paga e tij si kamarier në Pogradec, ndërkohë që sipas prokurorisë rezulton se nuk ka qenë i punësuar realisht.
Hetimi i nisur në vitin 2022 zbuloi se të ardhurat e shtetasit nuk justifikohen me burime të ligjshme. Prokuroria thotë se pasuria dyshohet të jetë vënë nga aktiviteti kriminal në trafikun e narkotikëve në Itali dhe Spanjë, të cilat më pas i dyshuari i ka investuar në pasuri të luajtshme dhe të paluajtshme në emër të tij dhe familjarëve.
Gjithashtu, shton prokuroria, transaksionet bankare dhe investimet e kryera ndër vite rezultojnë me vlera të konsiderueshme, të pajustifikuara në mënyrë ligjore.
Prokuroria evidentoi gjithashtu se edhe aktivitetet tregtare të familjarëve, si një biznes “shitje online”, ishin fiktive dhe të përdorura për të mbuluar burimin e pasurive.
“Po kështu, nëna e tij, shtetasja E.B. ka regjistruar një aktivitet tregtar “Shitje online”, që prej muajit Dhjetor 2021 e në vazhdim. Nga të dhënat e këtij subjekti, vihet re se adresë e ushtrimit të aktivitetit është adresa e shtëpisë.
Nga hetimet e prokurorisë, rezultoi se këta shtetas nuk justifikojnë pasuritë e krijuara me të ardhura të ligjshme dhe se ky shtetas pretendonte se kishte të ardhura nga puna si kamarier, por në të vërtetë referuar edhe raporteve të shërbimit nuk rezulton të ketë qenë ndonjë herë i punësuar. Transaksionet bankare të kryera prej tij ndër vite paraqiten në vlera të konsiderueshme shumash monetare në lek dhe valutë të huaj, për të cilat nuk justifikohet burimi i krijimit”, thuhet në njoftimin e prokurorisë.
Prokuroria e Korçës kërkon sekuestrimin e pasurive të mëposhtme:
- Pasuria në emër të E.B dhe E. B., me një sipërfaqe 152.5 m2, objekti RICH HOTEL në qytetin e Pogradecit.
- Pasuria e llojit truall, me sipërfaqe 965m2, blerë nga shtetasi E. B;
- Pasuria e llojit truall, në pronësi të shtetasve E.B dhe E.B;
- Pasuria e llojit apartament në pronësi të shtetases E. B; dhe
- Pasuria e llojit apartament, në pronësi të shtetasit E. S. dhe E. B.;
- Subjekti tregtar “Rich Hotel” sh.p.k, me NIPT M54128601F, me objekt veprimtarie Bar Hotel, ortak dhe administrator E. B.,.
- Subjekti tregtar “E. B.”, Person Fizik, me objekt aktivitet shitblerjes së automjeteve rrugore të përdorura me motor apo rimorkiot e tyre, import-export autovetura dhe mallra të ndryshme dhe shërbim parkingu;
- Subjekti tregtar “E. B.”, Person Fizik, me objekt aktiviteti servis makina dhe dhënie me qira, me status aktiv;
- Automjeti i markës Mini Cooper, në pronësi të shtetasit E.B;
- Automjeti i markës “Ford”, tipi “DYB”, në pronësi të shtetasit E.B;
- Automjeti i markës “DAIMLER CHRYSLER”, në pronësi të shtetasit E.B;
- Automjeti i markës “Mercedes Benz”, lloji kamion, në pronësi të shtetasit E.B;
- Automjeti i markës “DAIMLER BENZ”, lloji kamion, në pronësi të shtetasit E.B;
- Automjeti i markës “Audi”, tipi 8R në pronësi të shtetasit D.D.
/rtsh.al/