E Hënë, 2 Nëntor 2026

Edhe katër ditë regjistrimet në konvikte, fluksi vetëm në ditët e para. 8 godina për studentët e Inxhinierive

Në prag të nisjes së vitit të ri akademik, ndërsa regjistrimet në universitete vijojnë ende më raundet e tjera, në të njëjtën kohë ata studentë që janë shpallur fitues vijojnë regjistrimet për akomodimin nëpër konvikte.

Në godinat rezidenciale universitare nr. 2 në Tiranë, sipas drejtoreshës Zhanina Dapi, regjistrimet vijojnë të kenë një ecuri normale, përveç fluksit të shfaqur ditët e para.

“Në rezidencat tona përfshihen Fakultetet e Inxhinierisë, Mjekësisë dhe Institutit të Fizkulturës. Kanë filluar fillimisht me studentët që kanë qenë ekzistues dhe janë në vazhdim të vitit akademik, vitet e dyta, të treta. Ndërkohë, pas përfundimit të regjistrimit të javës së parë të këtyre studentëve ka vijuar me studentët që vitet e para. Aktualisht një student në rezidencat tona paguan 6.300 lekë qira mujore. Kjo qira është e ndarë në disa këste në momentet kur familja has vështirësi financiare. Ka filluar me një fluks, pastaj në ditët në vazhdim fluksi bie. Sot është një ecuri më se normale. Komisioni pret nga ora 8:00 deri në orën 17:00,” tha drejtoresha Dapi.

Procedurat e regjistrimeve bëhen fizikisht, ndërsa përzgjedhja e emrave në listën e pritjeve vijon sipas datave të kërkesave me shkrim, duke plotësuar vendet e mbetura vakante.

“Gjatë gjithë vitit kemi regjistrime të studentëve të cilët qëndrojnë në listëpritje ose vijnë në momente të caktuara, sepse edhe vetë studentët janë me periudha. Për këtë arsye lirohet vendi dhe mund të regjistrohet një student tjetër, nëse kujtohet edhe mes vitit që të vijë të regjistrohet. Ne marrim datat kush ka qenë më përpara dhe vazhdojmë me kërkesën,” u shpreh znj. Dapi.

Konviktet e Inxhinierisë, ky vit i gjen në rikonstruksion dhe kapacitet të plotë. Janë gjithsej 8 godina në dispozicion për akomodimin e studentëve, të cilat funksionojnë me kushte bashkëkohore.

Gazetare: Elda Hasanbelli

/rtsh.al/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›