Mbyllet Konferenca Rajonale nga ILD–OSBE, Metani: Të ndërtojmë një sistem drejtësie që gjeneron legjitimitet dhe vetëbesim

Konferenca rajonale “Shërbimet e inspektimit të drejtësisë dhe sfidat e integrimit” u finalizua sot në Tiranë me qëndrimin e përbashkët të delegacioneve nga Beogradi, Podgorica, Prishtina, Sarajeva, Shkupi e Tirana, se cilësia dhe efikasiteti i drejtësisë janë kritere të panegociueshme për progresin e vendeve për forcimin e shtetit të së drejtës dhe se komunikimi, shkëmbimi i përvojave e ndarja e dilemave profesionale, i shërbejnë forcimit të rolit të tyre për integritetin e sistemit të drejtësisë e besimin e qytetarëve, por edhe procesit të integrimit në BE.
Duke paraqitur konkluzionet e konferencës dy ditore, Inspektori i Lartë i Drejtësisë, Artur Metani, tha mes të tjerash: “E para, se sfida jonë nuk është thjesht të fitojmë besimin e publikut, por të ndërtojmë një sistem drejtësie, që është i aftë të gjenerojë legjitimitet dhe vetëbesim, përmes cilësisë, efikasitetit dhe transparencës. Kontributi i institucioneve tona nuk është vetëm një profesion, por një mision që lidhet drejtpërdrejt me vlerat më të larta të shoqërisë së një vendi si drejtësia, besimi i qytetarëve dhe përgjegjësia publike. E dyta, se kemi më shumë të përbashkëta se veçanti dhe kjo është arsyeja pse bashkëpunimi rajonal nuk është vetëm një dëshirë dhe vullneti i mirë nga ana jonë, por jam i sigurt se është i domosdoshëm. Vetëm duke shkëmbyer përvoja, duke organizuar vizita pune, duke ndarë praktikat më të mira dhe duke vijuar takime të tilla periodike, ne mund të arrijmë standarde të krahasueshme me ato të Bashkimit Evropian.”
Konferenca, që bëri bashkë në Tiranë në datat 25 dhe 26 shtator 2025, institucione të drejtësisë nga 6 vendet e rajonit tonë, u bashkorganizua nga Inspektori i Lartë i Drejtësisë dhe Prezenca e OSBE në Shqipëri, me misionet e OSBE në kryeqytetet e rajonit, Beograd, Podgoricë, Prishtinë, Sarajevë dhe Shkup.
Për dy ditë, drejtues dhe përfaqësues të institucioneve të drejtësisë së rajonit diskutuan rreth tre temave të mëdha, parimet dhe funksionimi i shërbimeve të inspektimit, roli i tyre në mbrojtjen e standardeve demokratike dhe promovimin e integritetit, si dhe kontributi i këtyre institucioneve në kontekstin e procesit të integrimit në BE.
/rtsh.al/