Korçë, do trafikonin 28 afrikanë drejt Malit të Zi kundrejt pagesës, arrestohen 2 persona

Policia Kufitare në Korçë ka finalizuar operacionin e koduar “Route”, duke goditur një rast të dyshuar të dhënies së ndihmës kundrejt pagesës për kalimin e paligjshëm të kufirit nga emigrantë të ardhur nga vendet e treta.
Në kuadër të operacionit janë arrestuar dy shtetas, të cilët u kapën në flagrancë duke transportuar emigrantë drejt veriut të vendit, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit për në Malin e Zi.
Në pranga kanë rënë J. M., alias D. M., 42 vjeç, banues në Korçë, dhe E. D., 31 vjeç, banues në fshatin Belorta, Maliq.
Sipas Policisë, dy personat u kapën në flagrancë në fshatin Plasë, Maliq, ku kishin grumbulluar rreth 28 shtetas sudanezë. Emigrantët, në grupe prej 7-8 personash, dyshohet se transportoheshin me mjete të ndryshme në drejtim të veriut të Shqipërisë, me synim kalimin e paligjshëm të kufirit dhe hyrjen në territorin e Malit të Zi.
Gjatë operacionit janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale një automjet, 6,500 euro dhe tre aparate celularë.
Nga verifikimet e kryera ka rezultuar gjithashtu se njëri prej të arrestuarve, shtetasi E. D., ishte nën masën e sigurisë “Arrest në shtëpi”.
Operacioni “Route” u zhvillua nga shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Korçë, në vijim të kontrolleve intensive dhe bazuar në informacionet e siguruara në rrugë operative, për parandalimin dhe goditjen e rasteve të ndihmës kundrejt pagesës për kalimin e paligjshëm të kufirit.
Materialet procedurale i janë referuar Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Korçë, për veprime të mëtejshme.
/rtsh.al/