Korrupsion pasiv, SPAK urdhëron ndalimin e shefit të Komisariatit të Policisë Rrugore dhe dy oficerëve

TIRANË, 21 prill /ATSH/ Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar bëri të ditur se në datën 18 prill, me urdhër të prokurorit të posaçëm, janë ndaluar shtetasit: R.Z, shef i Komisariatit të Policisë Rrugore, S.N, shef i hetimit të aksidenteve rrugore në këtë komisariat dhe E.T, oficer i policisë gjyqësore, të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsion pasiv i personave që ushtrojnë funksione publike”, e kryer në bashkëpunim.
SPAK thekson se, në datën 16 prill 2025, në qytetin e Tiranës ka ndodhur një aksident rrugor, ku dy automjete janë përplasur me njëri tjetrin. Si pasojë e aksidentit, pesë personat që udhëtonin në njërin nga automjetet janë dërguar në spital për të marrë ndihmë mjekësore.
Ndërsa në automjetin tjetër ndodhej vetëm drejtuesja A.V, bashkëshortja e shtetasit E.V, i dyshuar për kryerjen e veprës penale të “Korrupsionit aktiv të personave që ushtrojnë funksione publike”.
Pas të dhënave dhe informacionit të siguruar nga oficerët e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), ka rezultuar se punonjës të policisë rrugore i kanë kërkuar familjarëve të drejtueses së automjetit, shtetases A.V, pagesën prej 2 mijë eurosh, për mosarrestimin e saj.
Shuma e parave është kërkuar të dorëzohej brenda një kohe të shkurtër dhe është siguruar nga personi nën hetim E.V, me ndihmën e personave të tjerë. Këtë shumë ai ia kanë dorëzuar njërit prej punonjësve të policisë rrugore – fakt i provuar gjatë hetimit.
Urdhri i ndalimit të shtetasve: E.T, S.N dhe R.Z është ekzekutuar nga BKH, në bashkëpunimin me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore. Gjatë kontrolleve të kryera për llogari të këtij procedimi penal janë sekuestruar në cilësinë e provës materiale shumat prej; 2.500.000 lekë dhe 26 mijë euro. j.p