“Kosova e Kadaresë”/ Ekspozitë në Prishtinë për 90 vjetorin e lindjes së autorit

schedule18:22 - 6 Nëntor, 2026
Në Bibliotekën Kombëtare të Kosovës “Pjetër Bogdani” është hapur këtë të premte ekspozita “Kosova e Kadaresë”, kushtuar 90-vjetorit të lindjes së shkrimtarit të madh shqiptar, Ismail Kadare.
Ekspozita është organizuar nga Ambasada e Shqipërisë në Kosovë, Biblioteka Kombëtare e Kosovës dhe Shtëpia Studio Kadare.
Në hapje të ekspozitës, zëvendësministrja e Kulturës dhe Turizmit, Nora Arapi-Krasniqi, vlerësoi kontributin e Kadaresë në afirmimin e letërsisë shqipe në botë, duke theksuar se ai ishte më shumë se një shkrimtar për Kosovën.
Ajo tha se Kadareja vuri autoritetin dhe famën e tij ndërkombëtare në funksion të çlirimit të Kosovës dhe kundërshtimit të politikave spastruese e diskriminuese ndaj shqiptarëve në ish-Jugosllavi.
Veprat e tij na shoqëruan në vite të vështira, na dhanë forcë dhe na kujtuan se fjala mund të jetë rezistencë, kujtesë dhe shpresë. Kadareja nuk e ndau çështjen e Kosovës nga angazhimi i tij intelektual. Ai e mbrojti të drejtën e popullit të Kosovës për liri dhe e përdori autoritetin e tij si shkrimtar për ta bërë të dëgjueshme këtë çështje edhe përtej hapësirës shqiptare.
Të ftuarit në hapjen e ekspozitës e kujtuan Kadarenë si shkrimtar të një kategorie të rrallë, që përmes veprave të tij krijoi një univers të tërë letrar.
Ekspozita sjell materiale dhe dokumente që pasqyrojnë lidhjen e Ismail Kadaresë me Kosovën, krijimtarinë e tij letrare dhe angazhimin intelektual në periudha të rëndësishme të historisë shqiptare.
Mos rri jashtë: bashkohu me ABC News. Ne jemi kudo!

