E Diel, 1 Nëntor 2026

Njësia e Fizioterapisë në QSUNT, programe të personalizuara rehabilitimi

TIRANË, 18 qershor /ATSH/ Dhjetëra pacientë marrin çdo ditë shërbim në Njësinë e Fizioterapisë në Qendrën Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUNT), ku pas konsultave me mjekët specialistë referohen për seanca rehabilitimi dhe fizioterapie sipas problematikave të tyre shëndetësore.

Njësia ofron programe të personalizuara rehabilitimi, me qëllim rikuperimin dhe përmirësimin e cilësisë së jetës përmes kujdesit profesional dhe trajtimeve të specializuara.

Përgjegjësi i Njësisë së Fizioterapisë në QSUNT, prof. dr. Endrit Mone, bëri të ditur se shërbimi funksionon mbi bazën e sistemit të referimit, ku pacienti fillimisht konsultohet me mjekun e familjes, më pas me mjekun specialist, i cili përcakton nevojën për nisjen e procedurave rehabilituese.

“Jemi të organizuar në tre ambiente kryesore. Njëri është sektori i pediatrisë, ku fizioterapistët merren me trajtimin e fëmijëve. Ambienti i dytë është ai i neuroshkencës, ku ofrohet rehabilitim për pacientët neurologjikë dhe neurokirurgjikalë. Ndërsa fizioterapistët e ambulancës së fizioterapisë janë të shpërndarë në pavijonet ku kërkohet ky shërbim”, u shpreh Mone.

Sipas tij, në këtë njësi trajtohen diagnoza të ndryshme, që nga rastet postkirurgjikale e deri te problematikat reumatizmale, si dhe dhimbjet e qafës, të mesit apo problemet e ekstremiteteve të poshtme, të cilat prekin si moshat e treta ashtu edhe pacientët më të rinj.

Mone shpjegoi se trajtimi nis me terapi instrumentale me efekt antiinflamator, ndërsa më pas pacientët vijojnë me terapi manuale dhe programe të personalizuara ushtrimesh, të përshtatura sipas diagnozës dhe nevojave individuale.

Ai theksoi se edhe pacientët e pasiguruar mund të përfitojnë nga shërbimi kundrejt pagesës, por çdo pacient duhet të paraqitet me referim nga mjeku specialist dhe me një diagnozë të përcaktuar paraprakisht për të nisur procedurat e fizioterapisë.

/e.i/r.e/

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›