BM – Zelensky në Londër: Takim ceremonial me mbretin Charles përpara bisedimeve mbi Ukrainën

LONDËR. 24 tetor /ATSH-DPA/ – Mbreti Charles i rezervoi një pritje ceremoniale presidentit ukrainas Volodymyr Zelensky në Kalanë e Windsor-it, gjatë vizitës së tihj sot në Britani.
Pas mbërritjes në sheshin e kështjellës Windso,r Zelensky u përshëndet me shtrëngim duarsh nga monarku britanik dhe mori një përshëndetje mbretërore, pritja e parë ceremoniale që ai ka marrë në Britani.
U luajt himni kombëtar i Ukrainës dhe më pas Zelensky u ftua të inspektonte Batalionin e 1-rë të Gardës së Grenadierëve.
I veshur me të zeza, Zelensky i tha “Faleminderit shumë” Major Ben Tracey-t, i cili drejtoi ceremoninë si kapiten i gardës së nderit. Pas ceremonisë, presidenti ukrainas u shoqërua brenda kështjellës për një pritje me mbretin, ndërsa qytetarë të shumtë ndoqën gjithçka nga porta e sheshit të brendshëm.
Vizita i parapriu një takimi më vonë gjatë ditës me kryeministrin Keir Starmer dhe drejtues të tjerë të “koalicionit të gatshmëve”, ku do zhvillohen bisedime për rritjen e presionit mbi Moskën dhe forcimin e mbrojtjes së Ukrainës.
Masa të reja po shqyrtohen, përfshirë përpjekjet për të goditur më tej ekonominë që mbështet luftën e presidientit rus Vladimir Putin, për të nxjerrë nga tregjet globale naftën dhe gazin rus, si dhe përdorimin e mundshëm të aseteve të ngrira për financimin e mbrojtjes ukrainase.
Në Londër, përveç Zelensky, do të jenë edhe kryeministrja daneze Mette Frederiksen, kryeministri holandez Dick Schoof dhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Rreth 20 drejtues të tjerë pritet të marrin pjesë në takim përmes lidhjes online në kuadër të koalicionit të udhëhequr nga Starmer dhe presidenti francez Emmanuel Macron. /Ad.Ab./