Korrupsion në zgjedhje, SPAK çon për gjykim kryebashkiakun e Vaut të Dejës

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka përfunduar hetimet dhe ka dërguar dje për gjykimi në Gjykatën e Posaçme të Shkallës së Parë, kryetarin e bashkisë së Vaut të Dejës, Kristian Shkreli i akuzuar për kryerjen e veprës penale “Korrupsioni aktiv në zgjedhje”.
SPAK bën të ditur se, nga aktet e administruara gjatë hetimit proaktiv dhe ndjekjes me metoda speciale hetimore (përgjimet e bisedave telefonike, vëzhgimet, si edhe kryerja e veprimeve të tjera hetimore), në kuadër të procedimit penal nr. 49 të vitit 2025, ka rezultuar se i pandehuri Kristian Shkreli, me detyrën e Kryetarit të Bashkisë së Vaut të Dejës, është përfshirë në veprimtari të kundërligjshme në zgjedhjet e zhvilluara më datë 11 maj 2025, për Kuvendin e Shqipërisë.
Gjatë fushatës zgjedhore, Kristian Shkreli u ka premtuar dhe ofruar të mira materiale zgjedhësve të fshatit Stajkë, në bashkinë Vau i Dejës, në këmbim të votimit në një mënyrë të caktuar, në mbështetje të subjektit politik Partia Socialdemokrate e Shqipërisë.
Gjatë hetimit është evidentuar se i pandehuri ka qenë aktiv në fushatën zgjedhore, në mbështetje të këtij subjekti politik, duke shfrytëzuar nevojat e banorëve të fshatit Stajkë për ndërtimin e infrastrukturës së rrjetit të energjisë elektrike, investim i realizuar gjatë periudhës së fushatës elektorale, dhe duke u kërkuar banorëve të kësaj zone votimin për subjektin politik të preferuar prej tij, Partinë Socialdemokrate të Shqipërisë.
/gj.m/a.f/r.e/