E Hënë, 2 Nëntor 2026

Gjykata Kushtetuese shpall përfundimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja

TIRANË, 24 tetor /ATSH/ Gjykata Kushtetuese vendosi sot përfundimin e mandatit të gjyqtares Sonila Bejtja, duke përcaktuar si datë zyrtare të mbarimit të tij 25 prillin 2025.

Vendimi u mor pas shqyrtimit të kërkesës së Presidentit të Republikës, si organi emërtues që kishte dekretuar gjyqtaren në detyrë.

Në arsyetimin e saj, Gjykata sqaroi se mandati i Bejtjes bën pjesë në “regjimin tranzitor” të mandateve të gjyqtarëve kushtetues të emëruar pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2016, sipas të cilit përtëritja e përbërjes së Gjykatës bëhet në mënyrë të shkallëzuar, çdo tre vjet, me një të tretën e anëtarëve. Sipas këtij regjimi, mandati i saj i përket grupit të parë të përtëritjes, që përfundon në vitin 2025.

Gjykata theksoi se gjyqtarja Sonila Bejtja u emërua në këtë detyrë më 28 dhjetor 2020 me dekret të Presidentit, pasi kishte kandiduar për të plotësuar vakancën e parakohshme të krijuar pas shkarkimit të gjyqtarit Besnik Muçi. Sipas vendimit, Bejtja hyri në mandatin e nisur më parë nga gjyqtari Sokol Berberi, i cili kishte filluar detyrën më 25 prill 2007 dhe për të cilin mandati 9-vjeçar kishte përfunduar më 25 prill 2016.

Në përfundim, Gjykata Kushtetuese vendosi se, meqë mandati i zëvendësuar i Berberit kishte mbaruar më 25 prill 2016, mandati i Bejtjës konsiderohet i përfunduar më 25 prill 2025, në të njëjtën datë të vitit të nëntë.

Vendimi është përfundimtar dhe hyn në fuqi menjëherë. Gjykata do t’i njoftojë përkatësisht Presidentin e Republikës dhe Kuvendin e Shqipërisë për vijimin e procedurave të nevojshme për plotësimin e vakancës.

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese

/a.f/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›