Rama uron drejtuesin e ri të SPAK, Klodian Braho: Do të ketë mbështetjen e palëkundur të qeverisë

Kryeministri Edi Rama i ka uruar suksese në detyrën e re Klodian Brahos, pas zgjedhjes së tij në krye të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Rama theksoi se SPAK ka pasur dhe do të vazhdojë të ketë mbështetjen e qeverisë për të garantuar pavarësinë dhe efektivitetin e punës së tij.
Kryeministri vlerësoi edhe punën për rezultatet e arritura të SPAK nga drejtuesi aktual, Altin Dumani.
“Punë të mbarë drejtuesit të ri të SPAK-ut, i cili u zgjodh sot mes katër kandidatësh për të çuar më tej punët e mandatit të tretë të institucionit, duke marrë stafetën nga drejtuesi aktual, që meriton përgëzime për arritjet e pamohueshme të SPAK-ut në tre vitet e drejtimit të tij. SPAK ka pasur, ka dhe do të ketë mbështetjen e palëkundur të shumicës sonë qeverisëse, për të përmbushur në pavarësi e kushte optimale misionin e vet”, shkruan Rama në X.
Klodian Braho u zgjodh drejtuesi i ri i SPAK mes 4 kandidatëve duke marrë 7 vota nga anëtarët e Këshillit të Lartë të Prokurorisë. Kandidati Adnan Xholi mori 3 vota, Elvin Gokaj mori 1 votë ndërsa Doloreza Musabelliu nuk mori asnjë votë.
Në vizionin e tij, Braho tha se synon konsolidimin e SPAK, forcimin e rolit të BKH-së dhe ngritjen e një sektori të posaçëm për analizën e informacionit. Ai u shpreh se lufta kundër korrupsionit dhe garantimi i barazisë para ligjit janë prioritetet kryesore të kandidimit të tij.
/rtsh.al/