Krimet zgjedhore dhe përdorimi i administratës, Çela: Objekt i hetimeve të disa prokurorive, rezultatet do i shihni më vonë

Kreu i Prokurorisë së Përgjithshme Olsian Çela gjatë raportimit të tij në Kuvend për raportimin e institucionit që drejton gjatë vitit 2024, është pyetur nga deputeti Agron Gjekmarkaj mbi hetimet në rastet e përdorimit të administratës publike në zgjedhjet e 11 maji.
Çela theksoi se kjo çështje është objekt i hetimeve që ka nisur nga disa prej prokurorive të juridiksionit të përgjithshëm dhe se rezultati do të shihet më vonë.
“Janë një sërë çështjesh penale për të cilat ka nisur hetimi. Edhe vepra penale që ju i referoheni nga të dhënat e 2025r rezulton se prokuroritë e juridiksionit të përgjithshëm janë disa çështje penale që lidhen me përdorimin e fondeve publike gjatë fushatës, dhe përdorimin e administratës publike. Rezultatet pritet të shihen gjatë këtij viti ose vitin tjetër. Përdorimi i administartës, është objekt i hetimeve që ka nisur nga disa prej prokurorive”, deklaroi ai.
Referuar pyetjeve të opozitës të depozituara më herët me shkrim kundrejt krerëve të 5 institucioneve të drejtësisë që do raportojnë në Kuvend, Çela sqaroi se Prokuroria e Përgjithshme mori një sërë hapash për forcimin institucional me KQZ, SPAK dhe policinë, për qasje të koordinuar për masat institucionale dhe ndërinsitucionale për rritjen e efikasitetit në aspektin e hetimit të krimit elektoral.
“Krimet zgjedhore, janë marrë disa masa! Nga ana e Prokurorisë së Përgjithshme u ndërmorën hapa për forcimin institucional me KQZ, SPAK dhe policinë, për qasje të koordinuar për masat institucionale dhe ndërinsitucionale për rritjen e efikasitetit në aspektin e hetimit të krimit elektoral.
Nga ana jonë u organizua puna dhe u ngritën grupe të posaçme për periudhën zgjedhore, u caktuan prokurorë të dedikuar për hetimin e krimit zgjedhor. Janë një sërë çështjesh penale për të cilat ka nisur hetimi”, përfundoi ai.
/rtsh.al/