Rama pritet nga Princi i Kurorës në Riad: Diskutuam bashkëpunimin mes dy vendeve

Kryeministri Edi Rama po zhvillon një vizitë zyrtare në Arabinë Saudite, ku është pritur në Pallatin Mbretëror në Riad nga Princi i Kurorës dhe Kryeministri i Mbretërisë, Mohammed bin Salman Al Saud.
Takimi u fokusua në forcimin e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe përgatitjen e vizitës së Princit në Shqipëri, e parashikuar për vitin e ardhshëm.
Në një postim në Facebook, Kryeministri Rama ka publikuar foto nga takimi duke shkruar “Në Pallatin Mbretëror në Riad, me Princin e Kurorës dhe Kryeministrin e Arabisë Saudite, Mohammed bin Salman Al Saud, për të diskutuar mbi ecurinë e bashkëpunimit mes dy vendeve dhe vizitën e tij në Shqipëri vitin e ardhshëm.”
Gjatë vizitës, Kryeministri do të marrë pjesë në edicionin e 9-të të Future Investment Initiative (FII), një platformë globale që përcakton axhendën e investimeve në botë.
Forumi mbledh liderë politikë, investitorë ndërkombëtarë dhe inovatorë për të diskutuar mbi të ardhmen e investimeve, zgjidhjet e reja dhe ndërtimin e urave të bashkëpunimit ndërkombëtar.
/rtsh.al/