Krimet zgjedhore, regjistrohen 14 kallëzime penale në prokuroritë e vendit

TIRANË, 28 prill /ATSH/ Prokuroria e Përgjithshme informoi sot se në të gjitha prokuroritë e vendit deri sot janë regjistruar në total 14 kallëzime penale për veprat penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor”, “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme “burimet e njoftimit të veprave penale për kallëzimet e regjistruara, kanë qenë në 7 raste policia gjyqësore, në 3 raste Struktura e Posaçme kundër Krimit të Organizuar dhe Korrupsionit (SPAK), në 2 raste subjektet politike, një rast është nisur kryesisht, ndërsa në një rast burimi ka qenë një shtetas”.
“Nga raportimet rezulton se 5 nga kallëzimet e mësipërme, janë regjistruar në Prokurorinë e Fierit, 3 në Prokurorinë e Sarandës, 2 respektivisht në Prokurorinë e Tiranës dhe Gjirokastrës dhe nga 1 rast në Prokuroritë Durrës dhe Elbasan”, njoftoi Prokuroria.
Sipas Prokurorisë së Përgjithshme “pesë procedime janë regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, nga të cilat 2 procedime për veprën penale “Pengimi i subjekteve zgjedhore”, 1 procedim për “Përdorimi i funksionit publik për veprimtari politike ose zgjedhore” dhe 1 procedim për veprën penale të “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje””.
Ndërsa dy procedimet e tjera penale janë regjistruar në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër për veprat penale “Dëmtimi me dashje i materialit zgjedhor” dhe “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”.
“Janë dërguar për kompetencë në SPAK 1 kallëzim nga Prokuroria Durrës dhe një procedim penal nga Prokuroria Fier. Kallëzimet e tjera janë në fazë verifikimi”, njoftoi Prokuroria.
/a.f//r.e/