E Diel, 1 Nëntor 2026

Krimi në familje në Roskovec, arma e përdorur dyshohet e fshehur që nga ’97-a, i biri: Babai ishte tip konfliktual

Të tjera detaje janë bërë me dije lidhur me ngjarjen e rëndë që u regjistrua në Kuman të Roskovecit, ku një 80-vjeçar vrau bashkëshorten e tij dhe më pas kreu vetëvrasje.

Sipas burimeve policore, djali i çiftit ka deklaruar se në momentin e krimit ndodhej në Fier për një konsultë mjekësore, fakt i verifikuar edhe nga kamerat e sigurisë.

Ai ka treguar se i ati ishte tip konfliktual dhe se zënka e fundit kishte ndodhur rreth dhjetë ditë më parë, për një konflikt banal mbi hedhjen e plehut në patatet e mbjella në oborr. Nëna e tij, Dashuria, sipas dëshmisë, i dilte gjithmonë në krah të birit.

Pas kthimit nga Fieri, djali i gjeti prindërit pa jetë në banesë dhe fillimisht njoftoi një kushëri, më pas policinë. Hetimet kanë zbuluar se arma e përdorur ishte e tipit të vjetër dhe dyshohet se ishte fshehur nën tokë që nga vitet ’97, pasi u gjet e mbuluar me dhe’. Ajo ishte shkrepur dy herë: një plumb i mori jetën 75-vjeçares, ndërsa tjetri i shkaktoi vdekjen autorit të krimit.

Policia po vijon hetimet për të zbardhur plotësisht rrethanat e kësaj tragjedie familjare.

/rtsh.al/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›