E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kritika nga KE-ja për ligjin e Speciales, rrezikon pavarësinë gjyqësore dhe të drejtat e viktimave

Raporti më i fundit i Komisionit Evropian për Kosovën për vitin 2026 ka nxjerrë në pah sfida të thella në sistemin e drejtësisë, duke vlerësuar se vendi ndodhet midis një faze të hershme dhe një niveli të caktuar përgatitjeje, me një "përparim të kufizuar" në funksionimin e përgjithshëm të gjyqësorit.

Në qendër të kritikave të këtij raporti ndodhen ndërhyrjet politike, ndryshimet e diskutueshme ligjore për Dhomat e Specializuara, si dhe vendimet me ndikim në përfaqësimin e komuniteteve.


"Ndikimi i pajustifikuar nga elemente të brendshme dhe të jashtme të ndryshme, siç janë interesat politike dhe ekonomike, jo vetëm që mbetet një pengesë e konsiderueshme për pavarësinë dhe paanshmërinë, por në disa aspekte është intensifikuar”, thuhet në raport.

Sipas raportit të BE-së, zhvillimet rreth Dhomave të Specializuara dhe Zyrës së Prokurorit të Specializuar (Gjykatës Speciale) përbëjnë një nga pikat më kritike të vitit.

Më 6 tetor 2026, Kuvendi i Kosovës miratoi ndryshimet në Ligjin për Dhomat e Specializuara, mirëpo më 22 tetor ky ligj u kthye mbrapsht nga Presidentja për rishqyrtim.

Komisioni Evropian ka ngritur shqetësime të rënda se amandamentet e propozuara cenojnë detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe bien ndesh me parimet bazë të sundimit të ligjit.

Në veçanti, raporti nëvizon se këto ndryshime rrezikojnë pavarësinë gjyqësore, mbrojtjen e viktimave e dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive për krimet e luftës.

Po ashtu, BE ngre pikëpyetje të mëdha edhe mbi kushtetutshmërinë e këtyre ndryshimeve ligjore.

“Ndryshimet e propozuara ngrenë shqetësime të rënda lidhur me detyrimet ndërkombëtare të Kosovës dhe përputhshmërinë me parimet bazë të sundimit të ligjit, në veçanti pavarësinë gjyqësore, mbrojtjen e viktimave dhe dëshmitarëve, vazhdimësinë e të drejtave procedurale dhe llogaridhënien efektive për krimet e luftës”, thekson raporti i KiE-së.

Një tjetër goditje për sistemin gjyqësor lidhet me përfaqësimin e komunitetit serb. Në korrik të vitit 2026, gjyqtarët, prokurorët dhe stafi mbështetës serb i dorëhequr në vitin 2022 tentuan t'i tërhiqnin dorëheqjet e tyre.

Mirëpo, Këshilli Gjyqësor i Kosovës (KGJK), Këshilli Prokurorial (KPK) dhe U.D. Presidenti morën vendim për pranimin e dorëheqjeve dhe dekretimin e shkarkimit të tyre.

BE-ja vlerëson se ky vendim ngre shqetësime lidhur me procesin e rregullt ligjshmërisë, dëmton llogaridhënien dhe minon arritjet e Marrëveshjes së Drejtësisë të vitit 2015, duke entuziasmuar mospërfaqësimin e komuniteteve joshumicë në drejtësi.

Konkursi i mëvonshëm i rekrutimit me kuotë të rezervuar për prokurorët serbë nuk pati sukses.

“Kjo ngre shqetësime lidhur me përputhshmërinë me kornizën ligjore në fuqi, procesin e rregullt ligjor dhe kërkesat e sundimit të ligjit, si dhe rrezikon të rrënjosë më tej nënpërfaqësimin e serbëve të Kosovës në sistemin e përgjithshëm të drejtësisë”, theksohet tutje në raport, shkruan Telegrafi.

Pavarësisht kësaj panorame të ngarkuar me sfida, raporti i BE-së vë në dukje se gjatë kësaj periudhe janë shënuar edhe disa lëvizje me rëndësi administrative dhe strukturore.

Pas një periudhe të gjatë bllokade prej katër vitesh ku pozita kryesore mbahej vetëm me ushtrues detyre, në korrik të vitit 2026 u bë më në fund zgjedhja e Kryeprokurorit të ri të Shtetit gjë që në raport përshkruhet si "pas një periudhe prej katër vitesh gjatë së cilës kjo pozitë mbahej me ushtrues detyre"

Po ashtu, një zhvillim pozitiv institucional përbën hyrja në fuqi e bazës ligjore dhe themelimi i Gjykatës së re Administrative në maj të vitit 2026, hap ky që sipas KE-së “shënon një hap të rëndësishëm drejt një drejtësie administrative më të specializuar, më të parashikueshme dhe më efektive në Kosovë”.

Megjithatë, sa i përket luftës kundër korrupsionit, raporti vëren një kontrast të dukshëm në performancë: ndërkohë që ka pasur përparim te rastet e nivelit jo të lartë, te korrupsioni i nivelit të lartë ka pasur ngecje të qartë.

Raporti nënvizon tekstualisht se “bilanci në ndjekjen penale dhe gjykimin e rasteve u përkeqësua për rastet e nivelit të lartë, me më pak vendime përfundimtare të gjykatës dhe dënime përfundimtare krahasuar me vitin e kaluar" duke kërkuar përpjekje më të mëdha për të dëshmuar rezultate konkrete në luftën kundër krimit dhe korrupsionit të nivelit të lartë.

Komisioni Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të zbatojë me ngulm rekomandimet e Komisionit të Venecias, të forcojë mekanizmat e llogaridhënies brenda Këshillave dhe të mbrojë sistemin e drejtësisë nga ndikimet e jashtme politike. /Telegrafi/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›