Kriza në Iran/ Mbi 2 mijë viktima nga protestat, Trump ndalon kontaktet me qeverinë iraniane dhe thotë se ‘ndihma është duke ardhur’

Presidenti amerikan Donald Trump ka njoftuar se ka anuluar të gjitha takimet me zyrtarët iranianë, pas shtypjes së protestave që kanë përfshirë Iranin prej dy javësh.
Në një postim në rrjetin e tij social Truth Social, Trump u bëri thirrje qytetarëve iranianë të vazhdojnë protestat dhe të marrin kontrollin e institucioneve, duke paralajmëruar se “ndihma është rrugës së saj”. Ai shtoi se nuk do të ketë asnjë kontakt me Teheranin derisa të ndalojë “vrasja e pakuptimtë e protestuesve”.
Trump ka paralajmëruar gjithashtu se veprimet ushtarake mbeten një opsion i mundshëm, nëse Republika Islamike vazhdon të përdorë forcë vdekjeprurëse kundër demonstruesve antiqeveritarë. Ky qëndrim vjen pas vendimit të tij për vendosjen e tarifave 25% ndaj importeve nga vendet që bashkëpunojnë tregtarisht me Iranin, duke shtuar presionin ndërkombëtar mbi Teheranin.
Ndërkohë, një zyrtar iranian ka pranuar për herë të parë se rreth 2,000 persona kanë humbur jetën gjatë protestave, përfshirë edhe anëtarë të forcave të sigurisë. Viktimat janë cilësuar nga autoritetet si “terroristë”, pa dhënë detaje mbi ndarjen mes civilëve dhe trupave të sigurisë.
Protestat shpërthyen për shkak të kushteve të rënda ekonomike dhe përbëjnë sfidën më serioze për udhëheqjen iraniane në vitet e fundit. Analistët paralajmërojnë se vendi po përballet me një nga momentet më të brishta politike të dekadave të fundit, ndërsa reagimet ndërkombëtare janë shtuar. Në Evropë, kancelari gjerman Friedrich Merz deklaroi se regjimi iranian ndodhet në fazat e fundit të ekzistencës së tij, një deklaratë e kundërshtuar ashpër nga ministri i Jashtëm iranian Abbas Araqchi.
Me bilancin e viktimave që rritet dhe presionin ndërkombëtar që shtohet, Irani gjendet në një krizë të thellë politike dhe ekonomike, ndërsa mesazhet e Trump e përshkallëzojnë edhe më tej tensionin mes dy vendeve.
/rtsh.al/