Libofshë, ngrenë flamurin e bardhë, dy barinjtë kërkojnë ndihmë pasi refuzuan fillimisht evakuimin

Momente ankthi janë regjistruar në zonën e Hasturkasit në Libofshë, ku dy barinj kishin mbetur të izoluar mes ujit, duke detyruar autoritetet të nisnin një operacion të gjerë kërkim-shpëtimi.
Sipas informacioneve nga terreni, barinjtë kanë ngritur “flamurin e bardhë” duke kërkuar ndihmë emergjente, disa orë pasi kishin humbur kontaktet telefonike me familjarët e tyre.
Situata është komplikuar më herët gjatë ditës. Autoritetet kishin rënë fillimisht në kontakt me ta për t’i evakuuar, por barinjtë kishin refuzuar të largoheshin. Shkak për këtë vendim ishte bërë tufa e tyre prej rreth 200 krerë lopësh, të cilat ata nuk donin t’i braktisnin në mëshirë të fatit në zonën e përmbytur.
Pas ndërprerjes së komunikimit, Agjencia e Mbrojtjes Civile (AMC) intensifikoi përpjekjet. Kreu i AMC-së, Haki Çako, i cili ndodhej në vendngjarje, bëri të ditur se për lokalizimin e saktë të personave po përdoret teknologjia e avancuar, përfshirë dronët termikë, për shkak të terrenit të vështirë dhe distancës.
“Sapo kemi nisur veprimet për të identifikuar dhe saktësuar vendndodhjen e dy barinjve që ndodheshin në një zonë të hapur me prezencë uji,” u shpreh Çako në një prononcim për mediat.
Ai sqaroi se barinjtë kishin pasur kontakte me familjarët deri pak para nisjes së operacionit, por problemet me telefonat celularë bënë të pamundur vijimin e komunikimit.
“Disponojmë dronë termikë dhe dronë për distanca më të konsiderueshme. Nëse do të jetë e nevojshme, do të vendosim në funksion të gjitha kapacitetet, përfshirë helikopterë dhe forcat e ushtrisë, për të garantuar jetën e dy barinjve,” garantoi kreu i Mbrojtjes Civile.
/rtsh.al/