Krujë, restaurohet kalldrëmi mesjetar i Sari Salltikut

TIRANË, 11 qershor/ATSH/ Në Krujë ka nisur puna për restaurimin e kalldrëmit mesjetar, gati 300 vjeçar të Sari Salltikut, në malin e Krujës.
Kryetari i bashkisë së Krujës, Artur Bushi tha se “ky është një projekt i bukur, i shumëdëshiruar nga banorët e Krujës, komuniteti bektashi dhe turistët”.
“Ky projekt përfshin ndërtimin e shkallareve në hyrje të shtegut, restaurimin e shtegut këmbësor me gjatësi 1.8 km, ndriçimin dhe vendosjen e tabelave orientuese dhe përshkruese, bashkë me restaurimin e Kroit të Lugjve”, theksoi Bushi.
I konsideruar si Ballkoni i Shqipërisë, me një lartësi 1110 m, Mali i Krujës të ofron një pamje mbresëlënëse të Adriatikut, territorit nga Mali i Zi deri në Malin e Tomorit. Në këtë mal u hap teqeja e parë në vend e ku sot kujtohen veprat e të shenjtit Sari Salltiku.
Në një ngjitje me një lartësi prej 600 metrash nga qyteti i Krujës, shoqërohesh nga gojëdhënat për gurët e shenjta, të fshehtat e shpellave që janë përgjatë kalldrëmit, ku brenda saj gjen masive të stalagtiteve mijëravjeçarë.
1 nga 8/k.s/a.f/