E Martë, 3 Nëntor 2026

LOS ANXHELES – 100 të arrestuar në vetëm pak orë, pas protestave kundër presidentit Trump

LOS ANXHELES, 11 qershor /ATSH-DPA/ – Më shumë se 100 persona janë arrestuar në Los Anxheles në vetëm pak orë gjatë protestave kundër masave të ashpra të presidentit të SHBA-së Donald Trump kundër imigracionit, deklaroi departamenti i policisë i qytetit.

”Rreth 96 persona u arrestuan të hënën në mbrëmje në qendër të Los Anxhelesit për mosshpërndarje nga një tubim i ndaluar”, tha policia.

14 persona të tjerë thuhet se u arrestuan për plaçkitje dhe tre për rezistencë ndaj arrestimit, sulm me armë vdekjeprurëse ose dëmtim kriminal të pronës.

”Dy oficerë policie u dërguan në spital për trajtim”, sipas raportimeve.

Presidenti i SHBA-së Donald Trump ka dërguar mijëra trupa të Gardës Kombëtare dhe 700 marinsa në qytet, duke thënë se situata është jashtë kontrollit.

Në përgjigje të protestave, kryebashkiakja e Los Anxhelesit, Karen Bass, njoftoi një shtetrrethim për qendrën e vendit nga ora 20:00 e ditës së sotme deri në orën 06:00 të së mërkurës.

“Kam shpallur gjendje të jashtëzakonshme lokale dhe kam vendosur një shtetrrethim në qendër të Los Anxhelosit për të ndaluar vandalizmin dhe plaçkitjet”, u tha Bass gazetarëve në një konferencë për shtyp në mbrëmje, duke vënë në dukje dëmet e konsiderueshme në biznese dhe pronë.

“Zbatuesit e ligjit do të arrestojnë këdo që shkel shtetrrethimin dhe do të ndiqen penalisht”, shtoi ajo./   /os/

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›