Kryebashkiakja e Vlorës për Zvërnecin: Do hapen 10 mijë vende pune për qytetin tonë

Kryetarja e Bashkisë së Vlorës, Bruna Mersini zhvilloi pasditen e kësaj të hëne një takim me banorët e Njësisë Administrative Novoselë, ku diskutoi mbi projektin e ri turistik që pritet të realizohet në zonën e Zvërnecit, si dhe mbi ndikimin që investimet strategjike kanë pasur në zhvillimin ekonomik të Vlorës ndër vite.
Ky takim mes tyre ka ardhur pas protestave të zhvilluara përgjatë ditëve të fundit nga banorët e zonës së Zvërnecit, të cilët kanë shprehur kundërshtimet e tyre ndaj ndërtimit të resortit të planifikuar.
Gjatë bashkëbisedimit me banorët, Mersini theksoi se institucionet mbeten të hapura për çdo qytetar që ka paqartësi apo shqetësime lidhur me projektin.
Ajo ftoi të gjithë banorët, grupet e interesit dhe organizatat që kërkojnë më shumë informacion të paraqiten pranë institucioneve përgjegjëse ose pranë zyrës së saj, me qëllim marrjen e sqarimeve të nevojshme për çdo pikëpyetje që mund të kenë me këtë investim.
“Projekti i cili po zhvillohet në zonën e Zvërnecit është një projekt që ka zhvillim prej 4 miliardë eurosh dhe do t’i sjellë Vlorës mbi 10 mijë vende pune“.
“Duhet ta kuptojmë që të gjitha zhvillimet ekonomike kanë diskutimet e tyre, pikëpyetjet e tyre, por duhet ta tejkalojmë këtë. Nuk duhet të ngelim peng i forcave politike dhe disa pretendimeve të ambientalistëve dhe të futen ata në zonë dhe të godasin investimet”, tha ajo, duke sjellë më tej në vëmendje dhe transformimin që ka pësuar Vlora gjatë dekadës së fundit, duke theksuar se investimet infrastrukturore, përfshirë edhe Tunelin e Llogarasë, kanë zgjeruar ndjeshëm hartën e zhvillimit ekonomik të rajonit.