E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i Shkodrës premton rikthimin e hapësirave publike për studentët

Kryebashkiaku i Shkodrës, Benet Beci, ka njoftuar se hapësirat publike të zaptuara pranë Universitetit “Luigj Gurakuqi” do të pastrohen dhe do t’i kthehen studentëve.

Në një postim në rrjetet sociale, Beci bëri me dije se gjatë një vizite në universitet së bashku me rektorin Tonin Gjuraj, kanë konstatuar një “realitet që nuk i ka hije një vendi të dijes”, duke iu referuar mbeturinave dhe hekurishteve që zinin hapësirat.

“Këto hapësira të godinave të Universitetit të Shkodrës do të pastrohen dhe do t’u kthehen studentëve,” shkroi Beci.

Ai theksoi se Bashkia Shkodër dhe drejtuesit e universitetit po hartojnë një plan ndërhyrjeje për t’i dhënë institucionit “fytyrën e merituar” dhe për ta kthyer atë në funksion të plotë të jetës studentore.

/rtsh.al/

Më shumë nga Kronika

Të gjitha ›