E Premte, 6 Nëntor 2026

Kryebashkiaku i akuzon se lanë pacientët pa shërbim dhe po putheshin, sindikata: Mjekët ishin në pushimin e ligjshëm

Një video e publikuar në rrjetet sociale, ku kryebashkiaku i qytetit Barreiros, në shtetin Pernambuco të Brazilit, përballet me dy mjekë që ndodheshin në dhomën e pushimit të spitalit, ka shkaktuar reagime të shumta dhe kundërshtime nga organizatat mjekësore.

Ngjarja ndodhi të mërkurën në mbrëmje në Spitalin Bashkiak Jailton Messias de Souza Albuquerque. Në pamjet e publikuara, kryebashkiaku Carlinhos da Pedreira shihet duke trokitur në derën e dhomës së pushimit, ku gjen dy mjekë. Ai i akuzon ata se po flinin dhe po putheshin, megjithëse në video nuk paraqiten prova që të vërtetojnë pretendimin e tij.

“Është absurde ajo që po bëni. Urgjenca është plot me njerëz, ndërsa ju jeni këtu duke fjetur e duke u puthur. Jeni të gjithë budallenj”, dëgjohet të thotë kryebashkiaku.

Pas përplasjes, ai kërkoi ndërhyrjen e policisë për arrestimin e dy mjekëve dhe deklaroi se ata ishin pushuar nga puna. Megjithatë, profesionistët nuk u arrestuan.

Në një reagim të mëvonshëm në rrjetet sociale, kryebashkiaku tha se ishte indinjuar nga situata, pasi sipas tij, urgjenca e spitalit ishte e mbipopulluar dhe vetëm një mjek ndodhej në shërbim. Ai pretendoi se kishte gjetur dy mjekët duke fjetur në të njëjtën dhomë, ndërsa pacientët mbeteshin pa marrë kujdesin e nevojshëm. Në këtë reagim, ai nuk e përsëriti akuzën se dy mjekët po putheshin, por e cilësoi situatën si neglizhencë mjekësore.

Ndërkohë, Sindikata e Mjekëve të Pernambucos deklaroi se dy profesionistët ndodheshin në pushim pas 12 orëve të para të një turni intensiv pune. Sipas sindikatës, përdorimi i periudhës së pushimit, e parashikuar me ligj, nuk përbën braktisje të detyrës.

Organizata theksoi gjithashtu se një mjek tjetër kishte vijuar t’u shërbente pacientëve, ndërsa dy kolegët e tij ndodheshin në dhomën e pushimit. Ajo njoftoi se do të kërkojë një inspektim në spital për të verifikuar nëse ka pasur parregullsi që mund të cenojnë sigurinë e shërbimit mjekësor. Sindikata dënoi edhe mënyrën se si kryebashkiaku i ekspozoi dhe i ofendoi profesionistët, duke theksuar se funksioni publik nuk justifikon poshtërimin e askujt.

Edhe Këshilli Rajonal i Mjekësisë i Pernambucos dënoi ekspozimin publik të dy mjekëve. Në reagimin e tij, këshilli theksoi se çdo shqetësim lidhur me shërbimin mjekësor, respektimin e orareve të turneve dhe funksionimin e spitaleve duhet të trajtohet përmes kanaleve institucionale dhe ligjore.

Ndërkohë, bashkia njoftoi ndërprerjen e kontratës me Shoqatën João Paulo II, e cila administronte spitalin. Organizata bëri të ditur se kishte rifilluar përkohësisht administrimin e tij, pas vlerësimit të zbatimit të kontratës, deri në përfundimin e një procesi të ri tenderimi.

Lajme të Sugjeruara

Themeluesi i “Shtetit të Meshkujve” mohon çdo përfshirje në kërcënimet e rreme me bomba në aeroportet evropiane

Themeluesi i “Shtetit të Meshkujve” mohon çdo përfshirje në kërcënimet e rreme me bomba në aeroportet evropiane

Tragjedi në Gjermani! Avioni rrëzohet mbi autostradë dhe përfshihet nga flakët, dy persona humbin jetën

Tragjedi në Gjermani! Avioni rrëzohet mbi autostradë dhe përfshihet nga flakët, dy persona humbin jetën

Kallas: Putin nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë e Evropës

Kallas: Putin nuk ka të drejtë vetoje mbi sigurinë e Evropës

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›