Elbasan, adoleshentët përdhunojnë 15- vjeçaren
ELBASAN- Dy adoleshentë kanë përdhunuar një 15- vjeçare në një fshat të thellë të rrethit të Elbasanit. Ngjarja ka ndodhur dy ditë më parë kur adoleshentja kas qenë duke kullotur bagëtitë. Vajza e mitur pasi ka rënë pre e dhunës seksuale ka treguar gjithçka në shtëpi dhe së bashku me prindërit ka mbërritur në polici për të bërë denoncimin. Policia e Elbasanit ka shpallur në kërkim shtetasit Sh.R. 16 vjeç dhe M.R. 19 vjeç me banim në fshatin Turbull pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë kryer marrëdhënie seksuale me dhunë me të miturën D.R. 15 vjeç, me banim në të njëjtin fshat. Akti i turpshëm ka ndodhur në fshatin Gjolenë të komunës Kajan ku edhe ndodhej e mitura. Dy kushërinjtë, fillimisht janë përpjekur t’i mbushin mendjen 15 vjeçares por kur ajo nuk ka pranuar, ata kanë kaluar në veprime të dhunshme duke kryer marrëdhënie seksuale. Vetë vajza me inicialet D.R. ka treguar para hetuesve gjithë historinë e hidhur me djemtë e fshatit dhe policia është vënë në kërkim të autorëve. Por sipas familjarëve, ata janë zhdukur nga shtëpia që ditën që kanë kryer përdhunimin. Ndaj tyre është ngritur akuza e marrëdhënieve seksuale me dhunë me të mitur e kryer në bashkëpunim, e parashikuar nga nenet 101/2 dhe 25 të Kodit Penal. Ndërkohë një vajzë 17 vjeçare me banim në fshatin Katjel të komunës Rrajcë në Librazhd i ka shpëtuar për mrekulli tentativës së përdhunimit të ndërmarrë nga dy kushërinj nga fshati fqinjë. Shërbimet e policisë në Elbasan kanë filluar çështjen penale në ngarkim të shtetasve Kastriot Vasku, 21 vjeç, me banim në Karkavec dhe Gëzim Vasku, 25 vjeç, lindur në këtë fshat dhe me banim në Lushnjë pasi në bashkëpunim me njëri-tjetrin kanë tentuar të përdhunojnë shtetasen M.B. 17 vjeç. Dy kushërinjtë i kanë dalë përpara vajzës në një rrugë në pyllin e fshatit. Vajza e frikësuar ka tentuar t’u shpëtojë kur ata kishin filluar ta zhvishnin dhe duke ulëritur është larguar me vrap duke kërkuar ndihmë. Të rinjtë janë trembur nga britmat e adoleshentes dhe janë zhdukur në drejtim të paditur. Sipas të dhënave të policisë, Kastriot Vasku dhe Gëzim Vasku kanë qenë të dënuar më parë për veprën penale të vjedhjes.