Kryetari i Gjykatës së Lartë takim me studentët në Shkodër, paralajmëron rrezikun e konformizmit në sistem

Kryetari i Gjykatës së Lartë, Sokol Sadushi, në një leksion të hapur me studentët e Fakultetit të Drejtësisë në Universitetin e Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, u ndal te pavarësia e gjyqtarëve dhe sfidat e sistemit të drejtësisë.
Ai theksoi se pavarësia nuk rrezikohet vetëm nga politika apo biznesi, por edhe nga konformizmi brenda vetë sistemit.
“Kur një gjyqtar gjykon i lirë nga presionet politike, ekonomike apo shoqërore, ai nuk mbron veten; ai mbron të drejtën tuaj për një gjykim të drejtë. Në fund të ditës, qytetari nuk ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të mos shqetësojë pushtetin; ai ka nevojë për një gjyqtar që kujdeset të zbatojë drejt ligjin“, tha ai.
Ai pranoi gjithashtu problematikat reale të sistemit, si mungesa e gjyqtarëve, mbingarkesa e çështjeve dhe vonesat në vendimmarrje, që ndikojnë drejtpërdrejt te qytetarët.
Sipas tij, përmirësimi i drejtësisë nuk vjen nga deklaratat, por nga profesionalizmi, përgjegjshmëria dhe formimi i një brezi të ri juristësh me integritet.
/rtsh.al/