E Diel, 1 Nëntor 2026

Kumbaro: 240 nxënës pjesë e Festivaleve U10 të volejbollit dhe basketbollit në Lungomare

TIRANË, 6 qershor /ATSH/ Lungomarja e Vlorës u shndërrua në një arenë feste, energjie dhe sporti për fëmijët, teksa 240 nxënës morën pjesë në Festivalet U10 të volejbollit dhe basketbollit.

Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaro ndau në rrjetet sociale momente nga organizmi i këtij festivali.

“Festë, energji dhe buzëqeshje në Lungomaren e Vlorës ku 240 nxënës morën pjesë në Festivalet U10 të volejbollit dhe basketbollit, me 150 pjesëmarrës në volejboll dhe 90 në basketboll. Në një atmosferë festive dhe plot entuziazëm, luajtën, u argëtuan, u socializuan me bashkëmoshatarët e tyre dhe përjetuan emocionet e sportit si pjesë e programit”, shkruan Kumbaro.

Ky aktivitet u zhvillua në kuadër të programeve që synojnë promovimin e sportit te fëmijët, nxitjen e aktivitetit fizik dhe përfshirjen e tyre në veprimtari që kultivojnë frymën e ekipit, bashkëpunimin dhe vlera të shëndetshme shoqërore.

Festivalet U10 vijojnë të shërbejnë si një platformë e rëndësishme për afrimin e fëmijëve me sportin dhe për krijimin e një kulture aktive, duke i kthyer aktivitetet sportive në një përvojë argëtuese dhe edukative për brezin e ri.

Programi “Ekipeve Sportive në Shkolla” synon të nxisë pjesëmarrjen e fëmijëve në sport dhe të promovojë edukimin fizik si pjesë të rëndësishme të zhvillimit të tyre social dhe shëndetësor.

/k.s/a.f/r.e/

Më shumë nga Sporti

Të gjitha ›