Kumbaro: Deri në 2030-ën, financimi për kërkimin shkencor në 1% të PBB

TIRANË, 1 prill /ATSH/ Ministrja e Arsimit, Mirela Kumbaroi deklaroi se në mbledhjen e Këshillit të Ministrave të ditës së sotme, u mor vendimi që lidhet me arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.
Kumbaro tha se ky vendim përcakton mënyrën e llogaritjes së buxhetimit dhe financimit të kërkimit shkencor nga institucionet që operojnë në këtë fushë në Shqipëri.
“Ky vendim vjen në kuadër të zbatimit të ligjit për shkencën, të miratuar në vitin 2024, si dhe në funksion të përmbushjes së detyrimeve që rrjedhin nga procesi i integrimit evropian, konkretisht nga kapitulli 25 që lidhet me kërkimin shkencor”, tha Kumbaro.
Ministrja Kumbaro theksoi se kapitujt 25 dhe 26 janë ndër më të rëndësishmit dhe ndër të parët që duhet të mbyllen në procesin e negociatave me Bashkimin Evropian, duke u konsideruar si një ogur pozitiv për ecurinë e mëtejshme të negociatave.
Kumbaro pohoi se “vendimi i ri u jep mundësi institucioneve kërkimore, përfshirë agjencitë publike, të përfitojnë financim mbi bazë performance, veçanërisht në projekte ndërkombëtare, me synim rritjen e qëndrueshmërisë së kërkimit shkencor në vend”.
“Qeveria ka vendosur si objektiv që deri në vitin 2030 financimi për kërkimin shkencor të arrijë në 1% të Prodhimit të Brendshëm Bruto, duke përfshirë të gjitha institucionet dhe ministritë përkatëse”, përfundoi Kumbaro.
/e.i/a.f/r.e/