Rama: Do paguajmë sigurimet për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të veçanta, akti normativ në qershor

TIRANË, 1 prill/ATSH/ Kryeministri Edi Rama deklaroi sot shteti do të paguajë sigurimet shoqërore për kujdestarët e fëmijëve me aftësi të veçanta.
Gjatë mbledhjes së Asamblesë së PS-së në njësinë 4 në kryeqytet, Rama duke folur për mundësi më të mëdha për shkak të rritjes ekonomike, u ndal edhe tek komunitetet që do ndjejnë mbështetjen.
Kështu, Rama vuri në dukje se ka shumë fëmijë me aftësi të veçanta që kanë nevojë për kujdes të drejtpërdrejtë, shumë njerëz që kanë nevojë për kujdestarë dhe që janë të detyruar të qëndrojnë në shtëpi, të kujdesen për njeriun e afërt, për fëmijën dhe nuk mundet dot që për këtë shkak se penalizohen dhe të mbeten pa pension nesër.
“Kështu që do t’ua paguajë shteti sigurimet shoqërore dhe kjo do të fillojë nga akti i ardhshëm normativ i qershorit”, tha Rama.
Ashtu sikundër, vijoi Rama, kemi thënë dhe tani do ta realizojmë edhe dyfishimin e shpërblimit për prindërit që kujdesen për fëmijët me nevoja të veçanta, për nënat në radhë të parë.
“Diçka që është e mirëpritur patjetër nga prindërit, diçka që patjetër do ishte mirë të ishte bërë më përpara, por mundësitë nuk kanë qenë”, tha Rama.
/k.s/j.p/