E Diel, 1 Nëntor 2026

PD kërkon tërheqjen e projektligjit për pagat e magjistratëve

TIRANË, 17 shtator /ATSH/ Partia Demokratike kërkoi sot në Kuvend tërheqjen nga rendi i ditës të projektligjit për pagat e magjistratëve, pasi rrezikohet që të shkelet Kushtetuta.

Në fjalën e tij në seancën plenare, kryetari i grupit parlamentar në Partinë Demokratike, Gazment Bardhi, tha se procesi i konsultimit me institucionet e drejtësisë në lidhje me projektligjin nuk ka qenë efektiv.

“Gjatë kohës kur diskutonim në komisionet parlamentare, një pjesë e komisioneve e kishin përfunduar shqyrtimin  projektligjit. Drejtuesit e organeve të drejtësisë janë thirrur 30 minuta për t’u dëgjuar në komisionet parlamentare”, tha Bardhi.

Sipas Bardhit, Komisioni i Ligjeve “ka miratuar një version krejt të ndryshëm nga ai që kishin propozuar që në korrik dy kolegëve të mazhorancës, version që nuk është konsultuar me askënd”.

Bardhi tha se Kuvendi i Shqipërisë duhet të tërheqë nga rendi i ditës këtë projektligj pasi rrezikohet që të shkelet sërish Kushtetuta.

“Të marrim kohën e mjaftueshme për të diskutuar me organet e drejtësisë dhe shoqatat e magjistratëve dhe ky Kuvend të marr një vendim për t’i dhënë zgjidhje përfundimtare kësaj problematike”, tha ai.

Seanca plenare e Kuvendit, foto: Andrin Hoxha 1 nga 4

/m.q/j.p/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›