E Diel, 1 Nëntor 2026

Kundërshtojnë ndërtimin e HEC-it, banorët e fshatrave në Mat “mësyjnë” bashkinë

Rezistenca e banorëve të fshatit Suç për ndalimin e ndërtimit të një hidrocentrali në zallin e “Lusës” është zhvendosur këtë të hënë në Bashkinë e Klosit.

Dhjetëra banorë u dyndën në ambientet e Bashkisë ku kërkuan me ngulm një takim me kryetaren Valbona Kola me synimin pezullimin e punimeve në terren.

Banorët janë të vendosur që të mos lejojnë avancimin e punimeve dhe shprehen se do ta mbrojnë me çdo çmim zallin e “Lusës” si e vetmja alternativë që kanë ata për të vaditur tokat e tyre bujqësore.

Pas rezistencës së banorëve të cilët nuk u larguan nga ambientet e bashkisë edhe me ndërhyrjen e Policisë së Shtetit, kryebashkiakja Valbona Kola pranoi të zhvillonte një takim me ta. Kryebashkiakja u shpreh se vendimet për ndërtimin e HEC-eve janë marrë nga paraardhësi i saj demokrat, Basir Çupa.

Banorët i kërkuan kryebashkiakes mbështetje ose të lërë mandatin e saj nëse ndjehet e pafuqishme t’i mbrojë ata në këtë kauzë.

Pas këtij takimi banorët deklaruan se do të vijojnë betejën e tyre në terren edhe në rrugë ligjore./vizionplus.tv

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›