E Hënë, 2 Nëntor 2026

Kurti: Nuk i kemi prishur marrëdhëniet me SHBA, por kemi disa dallime

PRISHTINË, 19 shtator /ATSH/ Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, tha se nuk janë prishur raportet me SHBA-në, por kanë disa dallime.

Një javë pasi SHBA mori vendim për pezullim të dialogut strategjik me Kosovën, Kurti tha se dallimet me SHBA-në lidhen me qëndrimin ndaj Serbisë si dhe strukturave paralele në veri. Megjithatë, ai shtoi se do t’i trajtojnë seriozisht mesazhet dhe deklaratat e SHBA-së.

“Dua të qartësojmë se bëhet fjalë për pezullimin e planifikimit strategjik dhe jo dialogut strategjik si proces të nisur. Nuk jemi prishur me Amerikën, por kemi disa dallime. Qeveria i trajton seriozisht deklarimet dhe mesazhet e ShBA-së”, tha ai.

“Në shtyllën e diplomacisë kemi disa dallime që kanë të bëjnë me qëndrimet karshi Serbisë si dhe strukturave ilegale në veri”, shtoi Kurti në hapjen e mbledhjes së Qeverisë në detyrë të premten, më 19 shtator.

“Ndonëse opozitarët po e stërmadhojnë në dritë negative çdo ndodhi për raportet e qeverisë tonë me qeverinë amerikane, unë nuk dua t`i minimizoj zhvillimet e fundit”, tha Kurti.

/Kosovapress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›