Shpërthim me lëndë plasëse jashtë banesës së deputetit Xhelal Mziu

TIRANË, 19 tetor /ATSH/ Një sasi e dyshuar lënë plasëse u vendos pak pas mesnatës në ambientet e jashtme të banesës së deputetit të Partisë Demokratike Xhelal Mziu, në rrugën “Arjan Sala” në Kamëz.
Policia njoftoi sot se “rreth orës 00:55, dyshohet se në rrugën “Arjan Sala”, në murin rrethues të banesës së shtetasit Xh. M., është vendosur një sasi e dyshuar lënde plasëse”.
Si pasojë e shpërthimit janë shkaktuar vetëm dëme materiale.
Policia bëri të ditur se grupi hetimor po punon për identifikimin dhe kapjen e autorit, si dhe për sqarimin e plotë të rrethanave të ngjarjes.
Xhelal Mziu u zgjodh më 11 maj deputet i PD-së në qarkun e Dibrës, ndërsa ky është mandati i tij i dytë si ligjvënës. Më herët Mziu ka mbajtur edhe detyrën e kryetarit të bashkisë Kamëz.
/m.q/r.e/a.f/