E Mërkurë, 4 Nëntor 2026

Kush është David Cameron?

David Cameron aktualisht mban postin e Sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar. 

Por, cili është formimi i tij dhe çfarë postesh ka mbajtur ai në të shkuarën? 

David Cameron është arsimuar në Eton College dhe Oxford, ku ka studiuar politikë, filozofi dhe ekonomi. 

Pas diplomimit, ai u emërua këshilltar special në qeveri, fillimisht në Thesar dhe më pas në Home Office. 

Cameron u bë deputet për Witney në 2001 dhe brenda katër viteve ai u zgjodh si Lider i Partisë Konservatore të cilën e  rimodeloi.  

David Cameron fitoi zgjedhjet e përgjithshme të vitit 2010, duke u bërë kështu edhe kryeministri më i ri që nga viti 1812. 

Ai formoi një qeveri koalicioni midis Partisë Konservatore dhe Liberal Demokratëve, koalicioni i parë në 70 vitet e fundit, i cili erdhi pas krizësë financiare globale të vitit 2008. 

Qeveria e Cameron prezantoi dhe kreu reforma të rëndësishme në arsim, shëndetësi dhe mirëqënien sociale. 

Në drejtimin e tij Britania ndërtoi bankën e parë për Investimet e Gjelbërta në botë, si dhe luajti një rol udhëheqës në marrëveshjen e Parisit për ndryshimet klimatike. 

Paçka se konservator qeveria e Cameron miratoi aktin e martesës mes të njëjtit seks. 

Ndërkombëtarisht, David Cameron zhvilloi një politikë të jashtme që iu përgjigj sfidave të pranverës arabe, sidhe luftimit ndaj ISIS, duke bashkëpunuar ngushtë me ish-presidentin amerikan Barack Obama. 

Ai ndërtoi partneritete të forta me Indinë dhe Kinën. Nën udhëheqjen e tij, Britania përmbushi objektivin e NATO-s për shpenzimet e mbrojtjes prej 2% GDP. Gjatë qeverisjes së Cameron Mbretëria e Bashkuar zhvilloi tre referendume kombëtare, i pari ishte mbi votimin e deputetëve, i dyti për Skocinë, nëse duhej të mbetej pjesë e Mbretërisë ose jo, dhe i treti kishte të bënte mbi Brexit të cilin ai nuk e mbështeti. 

Në qershor 2016, britanikët votuan për t’u larguar nga BE, ai dha dorëheqjen si kryeministër dhe lider i Partisë Konservatore, e më vonë p oatë vit ai dha dorëheqjen edhe si deputet, duke mbetur kështu jashtë qeverisë deri më 13 nëntor 2023 kur kryeministri britanik Rishi Sunak riformatoi qeverinë dhe e emëroi Cameron në postin e sekretarit të Jashtëm të Mbretërisë së Bashkuar. 

Gazetar Artur Mata

/ rtsh.al /

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›