Kreu i KLP, Alfred Balla, jashtë sistemit të drejtësisë. KPA: Për 15 vite s’mund të jetë as prokuror, as gjyqtar

Kreu i Këshillit të Lartë të Prokurorisë Alfred Balla do të jetë jashtë sistemit të drejtësisë për 15 vite. Ky vendim u dha nga Kolegji i Posaçëm i Apelimit (KPA), i cili vendosi që Balla nuk mund të ushtrojë detyrën e tij si prokuror apo gjyqtar.
KPA ka pranuar kërkesën e Komisionerit Publik, i cili ankimoi vendimin e KPK për të vendosur “përfundimin e vetingut pa një vendim përfundimtar dhe pa sanksion ndaj kreut të KLP”.
Pas një hetimi të plotë të dosjes së Ballës dhe pretendimit të Komisionerit Publik se ai e kishte humbur statusin e magjistratit, 5 gjyqtarët e KPA-së, të drejtuar nga Ina Rama, dhanë vendimin përfundimtar për përjashtimin e Ballës me 15 vite nga sistemi i drejtësisë.
“Trupi gjykues e gjen të drejtë ankimin e Komisionerit publik duke konkluduar se vendimi i KPK-së është i pabazuar në fakte e ligj dhe si i tillë duhet ndryshuar. Trupi gjykues me shumicë votash vendos ndryshimin e vendimit nr. 675 të KPK-së si më poshtë: Ndërprerjen e procesit të rivlerësimit për Alfred Ballën. Subjekti i vlerësimit nuk mund të emërohet gjyqtar apo prokuror i çdo niveli, anëtar i KLP-së apo KLGj-së, inspektor i lartë i drejtësisë apo prokuror i përgjithshëm për një periudhë 15-vjeçare,” vendosi KPA.
Vetë Balla nuk u paraqit në seancën e dhënies së vendimit, por u përfaqësua nga avokatja mbrojtëse.
Ai iu nënshtrua procesit të rivlerësimit për shkak të ushtrimit të detyrës si ndihmës ligjor në Gjykatën e Lartë deri më 31 korrik të vitit 2017.
Në qershor të 2023, Komisioneri Publik e cilësoi vendimmarrjen e KPK në kundërshtim me përcaktimet kushtetuese dhe kërkoi ndryshimin, ku veç ndërprerjes së vetingut, nevojitej që Ballës t’i ndalohej emërimi në disa pozicione në sistemin e drejtësisë për 15 vjet, përfshirë dhe funksionin që ai mban aktualisht.
/rtsh.al/