Kushtetuesja vendos masë të përkohshme ndaj dekretit të Osmanit për shpërndarjen e Kuvendit

PRISHTINË, 9 mars/ATSH/ Gjykata Kushtetuese ka vendosur masë të përkohshme deri më 31 mars ndaj dekretit të presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit të Kosovës, të nxjerrë më 6 mars. Kushtetuesja tha se vendimi është ex officio dhe se ai ia ndalon çdo veprim presidentes Osmani në lidhje me dekretin e 6 marsit, si dhe ia ndalon çdo veprim Kuvendit të Kosovës derisa masa e përkohshme është në fuqi.
Gjykata vlerëson se masa e përkohshme “është në funksion të parandalimit të shkaktimit të dëmit të pariparueshëm për rendin kushtetues të Kosovës dhe funksionimin demokratik të institucioneve kyç në Kosovë”.
“Gjykata vlerëson se ndalimi i çdo vendimi dhe veprimi të mëtejmë nga ana e institucioneve të lartcekura është në interes publik, i domosdoshëm për ruajtjen e rendit kushtetues dhe interesin më të mirë të Republikës së Kosovës dhe qytetarëve të saj”, thuhet në vendimin e Gjykatës për vendosjen e masës së përkohshme.
Kjo nënkupton se Osmani nuk mund të shpallë datë për zgjedhje të reja derisa masa është në fuqi, ndërsa Kuvendi nuk mund ta vazhdojë seancën për zgjedhjen e presidentit, e nisur më 5 mars.
Kërkesa për vlerësimin e kushtetutshmërisë së dekretit për shpërndarjen e Kuvendit u dorëzua nga kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, në emër të Qeverisë së Republikës së Kosovës, përmes postës elektronike më 7 mars 2026, ndërsa Gjykata e regjistroi atë më 9 mars 2026.
Në seancën e 5 marsit, partia në pushtet i paraqiti dy kandidatë për president: Glauk Konjufcën dhe Fatmire Kollçaku-Mullhaxhën, pasi bisedimet paraprake mes Kurtit dhe dy partive kryesore opozitare, Partia Demokratike e Kosovës dhe Lidhja Demokratike e Kosovës, për një emër konsensual, nuk kishin dhënë fryt.Seanca u ndërprerë në mungesë kuorumi, pasi ishte braktisur nga partitë opozitare.
Një ditë pas ndërprerjes së seancës më 5 mars, Osmani nxori dekretin për shpërndarjen e Kuvendit dhe e mbajti menjëherë një takim partitë politike për të folur për datën e zgjedhje të parakohshme
Në takim morën pjesë kryetarë të partive opozitare, Partisë Demokratike të Kosovës, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, por jo edhe partia e kryeministrit Albin Kurti.
Osmani e ka arsyetuar dekretin e saj, duke thënë se 5 marsi ka qenë afati i fundit për zgjedhjen e presidentit të ri të Kosovës – meqë mandati i saj përfundon më 4 prill – por që deputetët kanë dështuar t’i përmbushin afatet ligjore.
Por, Partia në pushtet tha se dekreti i Osmanit nuk kishte bazë, meqë procedurat për zgjedhjen e presidentit i ka nisur më 5 mars dhe ka afat prej 60 ditësh për ta finalizuar procesin, prandaj edhe u ankua në Kushtetuese.Presidenti i Kosovës zgjidhet me dy të tretat e votave në dy rundet e para apo me 61 vota në rundin e tretë, por nevojiten 80 deputetë në sallë që seanca të mundë të mbahet.
Për partitë opozitare, dy figurat e prezantuara nga partia në pushtet kanë qenë të papranueshme dhe ato kanë ngulur këmbë në marrëveshje politike ose të prezantohet një figurë konsensuale.
Vetë Osmani e synonte edhe një mandat të dytë, mirëpo emrin e saj nuk e ka propozuar askush.
Për partinë në pushtet, ajo nuk i ka pasur votat e nevojshme, ndërsa për partitë e tjera ajo nuk e ka personifikuar unitetin e nevojshëm që i duhet figurës së presidentit. /rel/