E Diel, 1 Nëntor 2026

FOKUS- Wadephul në Qipro për bisedime mbi luftën me Iranin

LARNAKA, 9 mars /ATSH-DPA/ – Ministri i Jashtëm gjerman Johann Wadephul, mbërriti sot në ishullin mesdhetar të Qipros për bisedime krize lidhur me luftën me Iranin.

Wadephul pritet të diskutojë nesër situatën në Lindjen e Mesme me homologun e tij qipriot, Konstantinos Kombos, në kryeqytetin Nikozia.

Vizita vjen 10 ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës  dhe Izraeli nisën një ofensivë të gjerë kundër Iranit, gjë që nxiti Teheranin të kundërpërgjigjej me sulme në disa zona të rajonit.

Javën e kaluar, një dron i prodhimit iranian goditi bazën ajrore britanike në Akrotiri, në Qipro.

“Ndiejmë solidaritet të veçantë me partnerin tonë të BE-së në këtë moment, pasi vendi u godit javën e kaluar nga sulmet me dronë iranianë”, tha një zëdhënëse e Ministrisë së Jashtme gjermane.

Në agjendën e bisedimeve mes Wadephul dhe Kombos përfshihen gjithashtu çështje që lidhen me presidencën aktuale të Qipros në Bashkimin Evropian, e cila funksionon mbi bazën e roataconit të kryesisë.

Ministri gjerman pritet gjithashtu të takohet sonte me ministrin e Jashtëm të Emirateve të Bashkuara Arabe, Abdullah bin Zayed.

Qipro është anëtare e Bashkimit Evropian që nga viti 2004, por nuk është pjesë e NATO-s. Në shenjë solidariteti me Qipron, disa vende evropiane kanë rritur praninë e tyre ushtarake në rajon, ndërsa Franca ka dislokuar tre nga anijet e saj më të mëdha luftarake në zonën e konfliktit. /Ad.Ab./

Më shumë nga Ndërkombëtare

Të gjitha ›