E Martë, 3 Nëntor 2026

Kuvendi i Kosovës tenton sot për herë të gjashtë konstituuimin

PRISHTINË, 25 prill/ATSH/ Vazhdimi i gjashtë i seancës për konstituuimin e legjislaturës së nëntë pritet të mbahet sot në Kuvendin e Kosovës, ndërsa raundi i pestë dështoi duke mos arritur në zgjedhjen e kryeparlamentares së propozuar nga “Vetëvendosje”, partia fituese e zgjedhjeve parlamentare të 9 shkurtit.

Lëvizja Vetëvendosje, si partia e parë në zgjedhje, ka të drejtën ekskluzive të nominojë kandidatin për kryetar të Kuvendit, në bazë të aktgjykimit të Gjykatës Kushtetuese në vitin 2014.

Mirëpo, kjo parti në pesë përpjekje nuk arriti të bëjë votat e duhura për të zgjedhur kryeparlamentare deputeten Albulena Haxhiun. Kjo e fundit mori në seancat e 19 prillit dhe të 23 prillit  vetëm 57 vota nga 61 sa janë të nevojshme për të marrë këtë post.

Kundër zgjedhjes së saj në organin më të lartë legjislativ janë deputetët nga Partia Demokratike e Kosovës, Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, ndërkaq tre deputetët e Nisma Socialdemokrate po abstenojnë.

Nga radhët e komuniteteve jo shumicë, deputetët e Listës Serbe në seancën e fundit nuk morën pjesë në votim. Të njëjtën gjë e bëri edhe deputetja nga komunitetit boshnjak, Duda Balje.

Përkundër që nuk ka përkrahje nga opozita, në Lëvizjen Vetëvendosje kanë theksuar se do të vazhdojnë të propozojnë Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, përkundër dështimit në tri tentime.

Edhe shoqëria civile po kërkon nga presidentja Vjosa Osmani t’i ftojë partitë parlamentare për konsultime, pas dështimit për herë të pestë të konstituimit të Kuvendit.

Ndërkaq, kryesuesi i seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës, Avni Dehari, thotë se në seancën e së premtes s’ka nevojë për takim konsultativ me partitë parlamentare. /KosovaPress/

Më shumë nga Kosova

Të gjitha ›