E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi në seancë plenare, interpelancë me ministrin Gonxhja

TIRANË, 2 korrik /ATSH/ Kuvendi zhvillon sot në ora 10:00 seancën plenare, ku në rend të ditës përfshihet një interpelancë me ministrin e Turizmit, Kulturës dhe Sportit, Blendi Gonxhja, e kërkuar nga deputetja Ina Zhupa, lidhur me masat e marra për sezonin e ri turistik.

Po ashtu, Kuvendi do të zhvillojë një seancë pyetje–përgjigje me ministrin e Drejtësisë, Toni Gogu, e kërkuar nga deputeti Klevis Balliu, lidhur me situatën e punonjësve të policisë së burgjeve.

Në rend dite është edhe shqyrtimi i projektrezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Komisionerit për Mbrojtjen nga Diskriminimi për vitin 2025”.

Në vijim, Kuvendi do të shqyrtojë disa projektligje, mes të cilëve projektligji “Për ratifikimin e marrëveshjes së garancisë ndërmjet Republikës së Shqipërisë dhe Bankës Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim (BERZH), për projektin e nënstacionit të OSHEE-së Tiranë”.

Gjithashtu, në rend dite është projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 90/2012, “Për organizimin dhe funksionimin e administratës shtetërore”.

Një tjetër pikë e rendit të ditës është projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8391, datë 28.10.1998, “Për Shërbimin Informativ Kombëtar”, i ndryshuar.

/gj.m/r.e/

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›