Shëngjini pa energji elektrike, OSHEE: Ndërprerja është e planifikuar për shkak të investimeve

Zona turistike e Shëngjinit mbeti pa energji elektrike në orët e para të mëngjesit të kësaj të enjteje (2 korrik), duke shkaktuar shqetësim te pushuesit dhe bizneset që operojnë në kulmin e sezonit turistik.
Mungesa e energjisë ndikoi në funksionimin e hoteleve, bareve, restoranteve dhe subjekteve të tjera, ndërsa pushuesit u përballën me vështirësi për shkak të ndërprerjes së furnizimit.
Ndërkohë, operatori i shpërndarjes OSHEE, ka sqaruar se ndërprerja është e planifikuar dhe lidhet me punime për përmirësimin e rrjetit elektrik.
Sipas njoftimit zyrtar, në kuadër të një investimi për rritjen e cilësisë dhe sigurisë së furnizimit me energji elektrike, po kryhen punime në Nënstacionin e Lezhës, në linjën që furnizon zonën e Shëngjinit.
Për garantimin e kushteve të sigurisë gjatë zhvillimit të punimeve, është kryer stakimi i përkohshëm i linjës elektrike, duke sjellë ndërprerjen e furnizimit në zonën e Shëngjinit.
Sipas operatorit, ndërprerja është parashikuar të zgjasë më 2 korrik 2026, nga ora 05:00 deri në orën 08:00. Autoritetet kërkojnë mirëkuptimin e abonentëve, duke theksuar se investimi është i domosdoshëm për rritjen e besueshmërisë, sigurisë dhe cilësisë së furnizimit me energji elektrike.
/rtsh.al/