E Diel, 1 Nëntor 2026

Kuvendi sot në seancë plenare, priten gjashtë interpelanca

TIRANË, 11 qershor /ATSH/ Kuvendi i Shqipërisë mblidhet sot në seancën e radhës plenare, ku në rendin e ditës janë parashikuar gjashtë interpelanca.

Sipas rendit të ditës të miratuar, interpelanca e parë do të zhvillohet me ministrin e Mjedisit, Sofjan Jaupaj, kërkuar nga deputetë të Partisë Demokratike, për sqarime lidhur me planin e zhvillimit të Zvërnecit.

Deputetët e Partisë Demokratike kanë thirrur në interpelancë ministrin e Brendshëm, Besfort Lamallari, lidhur me ngjarjen në Lozhan të Maliqit, ku humbi jetën në krye të detyrës efektivi Enea Mekolli dhe u plagos kolegu i tij.

PD përmes deputetit Enno Bozdo ka thirrur në interpelancë ministren e Ekonomisë dhe Inovacionit, Delina Ibrahimaj, e cila pritet të japë shpjegime lidhur me Durana Park.

Deputeti Agron Shehaj ka thirrur në interpelancë kryeministrin Edi Rama lidhur me koncesionin “Për projektimin, ndërtimin, operimin, mirëmbajtjen dhe transferimin e aksit rrugor Thumanë-Vorë-Kashar”.

Po ashtu, Agron Shehaj dhe Erald Kapri kanë kërkuar zhvillimin e një interpelance me ministrin e Financave, Petrit Malaj, lidhur me ekzekutimin e detyrimeve financiare dhe mbledhjen e gjobës prej 120 milionë eurosh nga kompania “Bankers Petroleum”.

/r.e/

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›