PRAGË – Republika Çeke nuk do të marrë pjesë në blerjet e armëve për Ukrainën

PRAGË, 16 korrik /ATSH-ANSA/ – Republika Çeke nuk do të marrë pjesë në blerjet e armëve nga SHBA-ja për Ukrainën, deklaroi kryeministri çek Petr Fiala, në faqen e internetit Publico.cz.
Megjithatë, Republika Çeke do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën, veçanërisht përmes iniciativës së municioneve të artilerisë.
“Republika Çeke po përqendron përpjekjet e saj në vazhdimin e iniciativës së municioneve. Për këtë arsye, ne nuk kemi ndërmend të marrim pjesë në ndonjë projekt të ri në këtë kohë”, tha Fiala.
Iniciativa çeke e municioneve për Ukrainën, e cila është në vitin e katërt të rezistencës ndaj agresionit të armatosur rus në territorin e saj, kontribuoi në dorëzimin e 1,5 milion fishekëve vitin e kaluar dhe është planifikuar të vazhdojë deri në vitin 2025.
Gjatë vizitës së tij në Pragë në maj, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky e përshkroi programin çek si shumë efektiv./ /Ad.Ab./