LONDËR – BM, Kanadaja dhe Franca kërcënojnë Izraelin me veprime konkrete për ofensivën në Gazë

LONDËR, 20 maj /ATSH-DPA/- Lehtësimi i aksesit të ndihmës humanitare nga Izraeli në Gazë është i pamjaftueshëm, tha sot ministri i Jashtëm francez, duke paralajmëruar aleatin e tij se ofensiva e re në Gazë duhej të ndalej ose në të kundërt do të kishte pasoja, sipas “Reuters”.
I përballur me presion në rritje për shkak të bllokadës së ndihmës që vendosi në mars dhe rrezikut të urisë, Izraeli lehtësoi sot bllokadën e tij dhe lejoi sasi të kufizuara ushqimi në Gazë.
Izraeli, gjithashtu zgjeroi fushatën e tij ushtarake në enklavë, ku zyrtarët palestinezë të shëndetësisë thanë se qindra persona janë vrarë në sulme gjatë javës së kaluar – përfshirë 50 të tjerë ditën e sotme.
Fushata izraelite, e nisur pasi militantët islamikë të Hamasit sulmuan komunitetet izraelite më 7 tetor 2023, duke vrarë rreth 1,200 njerëz, ka shkatërruar Gazën dhe ka detyruar pothuajse dy milionë banorët e saj të largohen nga shtëpitë e tyre.
“Ofensiva ka vrarë më shumë se 53,000 njerëz, shumë prej tyre civilë”, sipas autoriteteve shëndetësore të Gazës.
Në një deklaratë të rrallë , udhëheqësit e Britanisë së Madhe, Kanadasë dhe Francës kërcënuan dje me veprime konkrete kundër Izraelit nëse nuk ndalonte ofensivën e ripërtërirë ushtarake në Gazë dhe nuk hiqte kufizimet e ndihmës, duke rritur presionin mbi kryeministrin, Benjamin Netanyahu.
Marrëdhëniet midis Francës dhe Izraelit janë përkeqësuar në muajt e fundit, pasi Parisi ka marrë gjithnjë e më shumë një qëndrim më të ashpër ndaj ngjarjeve në Gazë – dhe ka sugjeruar se mund të njohë shtetin palestinez në një takim në Nju Jork më 18 qershor, në varësi të kushteve të caktuara, duke shkaktuar zemërimin e Netanyahut. //a.i/